Zyrtarët evropianë dënuan sot sulmet e fundit të Rusisë gjatë natës në Ukrainë, për të cilat Kievi tha se vranë 13 persona, ndërsa shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas njoftoi planet për të propozuar sanksione të reja që synojnë entitetet që mbështesin kompleksin ushtarak-industrial rus.
“Vetëm fjalët e dënimit nuk do të ndalojnë sulmet ndaj Kievit. Vetëm mbështetja e qëndrueshme ushtarake për Ukrainën dhe presioni i shtuar ndaj Moskës mund ta bëjnë këtë”, shkroi Kallas në kompaninë amerikane të mediave sociale X.
Ajo tha se BE-ja këtë javë nisi disbursimin e 6 miliardë eurove nën huanë e saj mbështetëse prej 90 miliardë eurosh për të forcuar mbrojtjen e Ukrainës. “Sot do të propozoj të sanksionohen më shumë entitete që mbështesin kompleksin ushtarak-industrial të Rusisë në përgjigje të sulmeve. Sa më shumë që Moska të sulmojë civilët, aq më shumë sanksione duhet të vendosen. Ne vazhdojmë të rrisim koston derisa Rusia të kuptojë se nuk mund të fitojë”, tha Kallas.
Sipas saj, i gjithë stafi i BE-së në Kiev ishte i sigurt pas sulmeve dhe falënderoi personelin për vazhdimin e punës së tyre “në rrethanat më të vështira”. Ministria e Jashtme e Portugalisë dënoi ato që i përshkroi si “sulme të tmerrshme ruse” të kryera gjatë natës kundër Ukrainës.
Në një deklaratë, ministria përsëriti solidaritetin e saj me popullin dhe autoritetet ukrainase dhe tha se ishte “imperative t’i jepet fund këtij agresioni dhe të rivendoset ligji ndërkombëtar”. “Portugalia mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për Ukrainën në ndjekje të një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”, thuhet në deklaratë.
Ministrja e Jashtme e Finlandës, Elina Valtonen dënoi sulmet, duke thënë se Rusia ka shënjestruar edhe një herë infrastrukturën civile. “Imazhe të tmerrshme nga Kievi. Natën e kaluar, Rusia shënjestroi edhe një herë infrastrukturën civile, duke treguar shpërfillje të hapur për jetën njerëzore”, shkroi ajo në X.
Valtonen vlerësoi “guximin dhe qëndrueshmërinë e popullit ukrainas” dhe ripohoi mbështetjen e Finlandës për Ukrainën. Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani gjithashtu denoncoi sulmin, duke shprehur solidaritetin me Ukrainën dhe duke i bërë thirrje Rusisë që t’i japë fund agresionit të saj.
“Qeveria ruse duhet t’u japë fund këtyre agresioneve dhe të veprojë si një anëtar i përgjegjshëm i komunitetit ndërkombëtar”, tha Tajani duke shtuar se Italia do të vazhdojë të mbështesë Kievin derisa të arrihet “paqe e drejtë dhe e qëndrueshme”.
Ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Espen Barth Eide tha se Rusia “ka goditur sërish objekte civile, duke vrarë dhe plagosur shumë”. “Sulmet e Rusisë ndaj civilëve janë thellësisht shqetësuese. Mendimet tona janë me viktimat dhe të gjithë ata që janë prekur. Norvegjia mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për Ukrainën”, tha ai.
Deklaratat erdhën pasi Rusia dhe Ukraina shkëmbyen sulme me rreze të gjatë, me autoritetet ukrainase që thanë se 13 persona u vranë në sulmet ruse gjatë natës ndërsa zyrtarët rusë raportuan katër të vdekur civilë nga sulmet ukrainase me dronë.
Moska tha se kishte në shënjestër ndërmarrjet e industrisë së mbrojtjes, objektet e karburantit dhe energjisë, dhe infrastrukturën e aeroporteve ushtarake në dhe rreth Kievit duke përdorur armë precize me rreze të gjatë dhe dronë, duke i përshkruar sulmet si përgjigje ndaj “sulmeve terroriste” të Ukrainës në infrastrukturën civile.
Ndërkohë, Ukraina tha se goditi rafinerinë e naftës “Lukoil Nizhegorodnefteorgsintez” në rajonin e Nizhny Novgorodit të Rusisë si dhe një vend depozitimi të dronëve, një urë hekurudhore dhe një postë komanduese ruse./mxh