“CrazySexyCool”, shfaqja e re e dramaturgut të njohur, e vendosur në Uashington, është një letër dashurie plot gjallëri për hitet dhe miqësinë e pathyeshme të treshes së famshme R&B.
Nga Chris Richards
Muzikali “CrazySexyCool”, një prodhim ambicioz kushtuar treshes legjendare të viteve ’90, TLC, që po vihet në skenë në Arena Stage në Uashington, synon të jetë po aq i çmendur, seksi dhe i bukur sa edhe titulli i tij. I mbushur me hite që kanë shitur miliona kopje dhe me kthesa dramatike të njohura nga tabloidët, ai ndjek historinë e grupit – Lisa “Left Eye” Lopes, Rozonda “Chilli” Thomas dhe Tionne “T-Boz” Watkins – përgjatë më shumë se një dekade suksesi dhe vështirësish.
Produksioni është i pasur me detaje: nga këngët ikonike të R&B-së që shënuan një epokë, te bluzat vintage të markës Cross Colours dhe deri te një vaskë me këmbë klasike e mbushur me atlete Nike, të cilave u vihet flaka. Në momentet e tij më të guximshme, “CrazySexyCool” duket sikur sfidon vetë kufijtë e muzikalit të ndërtuar mbi këngë të njohura.
Por në fund të fundit, bëhet fjalë për TLC. Edhe realiteti i tyre ishte i jashtëzakonshëm. Pikërisht kjo e bën shfaqjen kaq të ngjeshur, marramendëse dhe të pasur në detaje.
Në qendër të dramës që zhvillohet në skenë janë tre aktoret protagoniste – Holli’ Gabrielle Conway në rolin e T-Boz, Jade Milan si Left Eye dhe Stoney B Woods si Chilli – të cilat përcjellin të njëjtën qetësi, karizëm dhe natyrshmëri që karakterizonin TLC kur dominonin valët e radios rreth tridhjetë vjet më parë. Në një nga shfaqjet e fundit të qershorit, publiku dukej sikur ishte ribashkuar me miq të vjetër: këndonte, qeshte, brohoriste dhe vallëzonte ulur në vendet e tij.
Këngët – “Waterfalls”, “No Scrubs”, “Creep” – tingëllojnë plot dritë dhe energji, por gëzimi i tyre merr një kuptim më të thellë kur vihet përballë betejave personale të anëtareve të grupit: sëmundjeve, alkoolizmit, cinizmit të industrisë muzikore dhe, mbi të gjitha, vdekjes tragjike të Lisa Lopes në një aksident automobilistik në vitin 2002.
Megjithatë, në mes të stuhisë mediatike që rrethonte TLC gjatë viteve të tyre më të lavdishme, autori dhe regjisori Kwame Kwei-Armah thotë se ai pa një histori besnikërie dhe miqësie.
“Ajo që jam përpjekur të shkruaj është mënyra se si këto tri gra – para dhe pas vdekjes së Left Eye – kishin nevojë për njëra-tjetrën për të qenë versioni më i mirë i vetes,” thotë ai në një bisedë telefonike. “Si i mbijeton një tragjedie? Si vazhdon jetën kur humbet dikë që ka qenë pjesë thelbësore e identitetit tënd?”
Për t’i dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, Kwei-Armah iu rikthye këngës “What About Your Friends?”, një hit i vitit 1992, refreni i së cilës pyet:
“Po miqtë e tu? A do të qëndrojnë pranë teje? Apo do të të zhgënjejnë përsëri?”
“Pikërisht këtë desha të zhvilloja,” shpjegon ai. “Si e formëson miqësia jetën tënde? Kush je ti me të dhe kush je pa të?”
Historia ecën në mënyrë kronologjike. Gjithçka nis me audicionin plot energji të Chilli-t për t’iu bashkuar grupit, duke u zotuar se do të luftonte kundër kujtdo në industrinë muzikore që do të përpiqej të zbehte vizionin artistik të TLC.
Por me kalimin e kohës “armiqtë” ndryshojnë fytyrë. Ndërsa fama e grupit rritet, T-Boz përballet me aneminë drapërocitare dhe më pas me kancerin. Left Eye i vë flakën koleksionit të atleteve të të dashurit të saj – duke djegur pa dashje edhe rezidencën e tij – dhe më pas tërhiqet në Amerikën Qendrore për t’u shkëputur nga varësitë. Ndërsa jeta ecën me ritmin e saj të vrullshëm, miqësia mes tri grave bëhet gjithnjë e më e fortë përmes muzikës, vallëzimit dhe harmonive vokale.
Kwame Kwei-Armah, ish-drejtor artistik i teatrit Young Vic në Londër dhe autori i rikrijimit karnavalesk të “Twelfth Night” në vitin 2018, si edhe i dramës “Beneatha’s Place” (2023), pati mundësinë t’ia lexonte draftin e parë të skenarit Rozonda Thomas.
“Isha duke ia lexuar dikujt jetën e vet – interpretimin tim të jetës së saj,” kujton ai. “Nuk e kuptoja sa i frikësuar isha derisa mbaruam. Ajo qau dhe më përqafoi fort. Besoj se fjeta dy ditë rresht pas kësaj.”
Më pas i duhej edhe miratimi i anëtares tjetër të mbijetuar të TLC, Tionne Watkins.
“Kur ia paraqita skenarin, ajo tha: ‘Kjo është një mënyrë e shkëlqyer për ta nisur’,” kujton ai duke qeshur. Pas kësaj, vazhdoi ta rishkruante tekstin me ndihmën dhe sugjerimet e të dyja artisteve.
Në fund, “CrazySexyCool” i përgjigjet kujtesës së publikut. Kjo është diçka që koreografja Chloe O. Davis e konsideron thelbësore. Ashtu si shumë njerëz të brezit të saj, edhe ajo u rrit duke mësuar përmendësh lëvizjet karakteristike të TLC-së përpara ekranit të MTV-së.
Nën drejtimin e saj, aktoret jo vetëm luajnë personazhet, por mishërojnë edhe gjestet më të vogla.
“Shikoni mënyrën si T-Boz prek hundën, si Left Eye ngre supet, apo si Chilli bën ato ‘gjunjët e Chilli-t’,” thotë Davis, duke iu referuar lëvizjeve karakteristike të pavdekësuara në videoklipin “Creep”.
“Edhe këto nuanca që publiku sheh në skenë lindën sepse aktoret kaluan shumë kohë duke njohur, kuptuar dhe vlerësuar njëra-tjetrën.”
Për Davis, kjo ka edhe një domethënie më të gjerë.
“Nuk ka shumë histori të njerëzve me ngjyrë që krijohen nga artistë me ngjyrë në teatër. U ndjeva e nderuar që pata mundësinë të kontribuoja për ta bërë këtë histori sa më autentike.”
Pikërisht ndërthurja e intimitetit me autenticitetin e bën “CrazySexyCool” të qëndrojë besnik ndaj frymës së TLC. Në jetën reale, këto gra krijuan disa nga kryeveprat më të mëdha të muzikës pop, por gjithmonë me natyrshmërinë e disa mikeve që argëtoheshin së bashku.
Duke i bërë personazhet të duken si shoqe të vërteta në skenë, muzikali arrin t’i bëjë ato të ndihen si mike edhe për publikun.
Edhe pse historia është rrëfyer me një përpikëri të admirueshme, Kwei-Armah beson se faktet nuk janë gjëja më e rëndësishme.
“Nëse njerëzit duan të shkojnë te Wikipedia, munden,” thotë ai. “Detyra jonë është ta humanizojmë historinë.”
