Një studim i ri ka identifikuar një proteinë kyçe që ndihmon përhapjen e kancerit metastatik të zorrës së trashë, duke hapur rrugën për trajtime më të avancuara dhe më efektive në të ardhmen.
Hulumtimi, i publikuar në revistën shkencore Nature, tregon se proteina TROP2 gjendet në qelizat më agresive të tumorit, të cilat jo vetëm favorizojnë krijimin e metastazave, por edhe i rezistojnë më mirë trajtimeve të zakonshme.
Shkencëtarët nga Qendra Gjermane për Kërkimin e Kancerit (DKFZ) dhe Instituti HI-STEM në Heidelberg analizuan të dhënat gjenetike të mijëra pacientëve dhe zbuluan se tumoret me nivele të larta të TROP2 kishin më shumë gjasa të përhapeshin në organe të tjera dhe të riktheheshin pas trajtimit.
Normalisht, TROP2 ndihmon në rigjenerimin e indeve të shëndetshme, por te qelizat kancerogjene ajo shfrytëzohet për t’i bërë ato më rezistente ndaj terapive dhe për të nxitur formimin e tumoreve të reja.
Duke qenë se ekzistojnë tashmë barna që synojnë këtë proteinë dhe përdoren për lloje të tjera kanceri, si ai i gjirit, studiuesit i testuan ato në modele laboratorike të kancerit metastatik të zorrës së trashë. Rezultatet ishin inkurajuese: trajtimi uli ndjeshëm numrin e qelizave më agresive dhe zgjati mbijetesën.
Edhe më premtues rezultoi kombinimi i këtyre barnave me kimioterapinë standarde. Sipas studiuesve, kjo qasje frenoi në mënyrë shumë më efektive rritjen e tumorit dhe përhapjen e metastazave sesa secili trajtim i përdorur veçmas.
Megjithëse studimi është ende në fazën paraklinike dhe nevojiten prova te pacientët, ekspertët besojnë se TROP2 mund të shndërrohet në një objektiv të rëndësishëm për terapitë e së ardhmes kundër kancerit të zorrës së trashë.
