Çfarë po ndodh me Nigel Farage? Figurë e njohur e së djathtës populiste britanike, ai po përballet me gjithnjë e më shumë zbulime mbi financat e tij dhe duket se ka ndryshuar sjellje. Së fundmi, ai madje mungoi në një festë verore të revistës konservatore The Spectator, një event që më parë nuk e humbiste kurrë.
Në javët e fundit, Farage ka reduktuar daljet publike dhe shmang përplasjet me gazetarët, ndërsa pyetjet për financat e tij janë shtuar. Në qendër të vëmendjes është një donacion prej 5 milionë paund në kriptovaluta, i marrë nga një miliarder në Tajlandë, i cili nuk është deklaruar siç duhet.
Më tej, ai ka përfituar rreth 270 mijë paund për një kontratë reklamuese për një kompani shufrash ari, për vetëm 12 orë punë, një pagesë që ka ngjallur kritika për shkak të përmasës së saj.
Hetimet mediatike kanë zbuluar gjithashtu një portofol prej pesë pronash në Angli, me vlerë mbi 4 milionë paund, të blera kryesisht me para në dorë pas vitit 2020. Megjithatë, vetëm dy prej tyre figurojnë të deklaruara në regjistrin parlamentar.
Ndër pronat spikat një rezidencë luksoze me pesë dhoma gjumi, katër banjo, një sallon të madh dhe një truall prej mbi tre hektarësh.
Sipas kritikëve, presioni mbi këto çështje financiare ka ndikuar edhe në sjelljen e tij publike, duke shkaktuar nervozizëm dhe disa gafë politike, përfshirë gabime në deklarimin e rezultateve të partisë së tij Reform UK.
Ndërkohë, Farage po udhëton jashtë vendit për takime me donatorë, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Malin e Zi, në një kohë kur brenda partisë së tij ka nisur diskutimi për pasardhësin e mundshëm. Kjo ka ushqyer spekulime se ai mund të mos kandidojë për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme.
Nëse këto zëra rezultojnë të vërtetë, do të ishte një zhvillim i madh për politikën britanike, pasi Reform UK aktualisht kryeson në disa sondazhe dhe Farage shihej si një kandidat i mundshëm për Downing Street./mxh
