Në një përpjekje të paprecedentë në historinë e kërkimit hapësinor, NASA ka dërguar në hapësirë një anije kozmike të krijuar posaçërisht për të kapur dhe shpëtuar teleskopin “Swift”, i cili rrezikon të rrëzohet në Tokë brenda muajve të ardhshëm.
Teleskopi “Swift”, i cili shërben për të studiuar shpërthimet më të fuqishme në gjithësi, ka humbur lartësinë për shkak të aktivitetit të shtuar diellor që ka ndikuar në dendësinë e atmosferës, duke krijuar fërkime që ngadalësojnë dhe ulin orbitën e tij nga 600 kilometra në rreth 360 kilometra.
Misioni i shpëtimit i është besuar kompanisë “Katalyst Space Technologies”, e cila në një kohë rekord prej vetëm tetë muajsh ka dizajnuar dhe ndërtuar anijen kozmike “LINK”. Kjo anije, e cila ka madhësinë e një frigoriferi, është e pajisur me tre krahë robotikë, kamera dhe sisteme të avancuara navigimi që do të mundësojnë afrimin, fotografimin dhe kapjen e teleskopit.
Sipas shkencëtarëve, ky operacion është tejet kompleks dhe i rrezikshëm, pasi teleskopi “Swift”, i lëshuar në vitin 2004, nuk është projektuar kurrë për të qenë objekt i një ndërhyrjeje të tillë apo për t’iu ndryshuar orbita në këtë mënyrë. Anija “LINK” do të duhet të lëvizë me shumë kujdes për t’iu bashkangjitur observatorit, pasi çdo veprim i gabuar mund të jetë fatal.
Nëse gjithçka shkon sipas planit, “LINK” do të përdorë motorët e tij për të ngritur ngadalë orbitën e teleskopit përgjatë dy ose tre muajve, duke e rikthyer atë në lartësinë e tij fillestare prej 600 kilometrash.
Suksesi i këtij misioni do të shënonte një standard të ri në mirëmbajtjen e pajisjeve hapësinore dhe mund t’i hapë rrugë misioneve të ardhshme të ngjashme, ku një kandidat potencial për shpëtim mund të jetë edhe teleskopi i famshëm “Hubble”./mxh
