Ben Child
Për dekada me radhë, universet kinematografike janë mbështetur mbi një ide të thjeshtë: publiku do të vazhdojë të investojë emocionalisht te personazhet dytësorë, nëse ata çojnë drejt një historie më të madhe. Por ndërsa ky interes duket se po zbehet, lind pyetja nëse vetë gjigantët e industrisë mund ta mbajnë ende në këmbë zhanrin e superheronjve.
Duket e vështirë të besohet se filmat modernë me Superman kanë ekzistuar për gati katër dekada përpara se Njeriu i Çelikut të takohej me Batman-in në ekranin e madh. Por që nga viti 2008, kur Iron Man u shfaq për herë të parë në kinema, jemi mësuar me një makineri të madhe të ndërlidhur: pelerina, perëndi, alienë dhe artefakte mistike që bashkëjetojnë në të njëjtin univers të pafund narrativ.
Për vite me radhë, publiku e priti çdo hyrje të re si një bufe të pakufizuar superheronjsh. Dukej sikur gjithmonë do të kishte një personazh të ri, një objekt misterioz apo një botë tjetër që priste të shndërrohej në një sukses miliarda dollarësh. Askush nuk mendonte se ky burim mund të shteronte kaq shpejt. Dhe pikërisht këtu hyn në skenë dështimi i “Supergirl”.
Filmi i ri i DC Studios, me Milly Alcock në rolin e Kara Zor-El, debutoi me vetëm 38 milionë dollarë në Amerikën e Veriut dhe rreth 68 milionë në mbarë botën në fundjavën e parë — shifra të dobëta për një prodhim që thuhet se ka kushtuar rreth 170 milionë dollarë, pa llogaritur marketingun. Për DC-në e re të James Gunn, kjo shihet si një goditje serioze, vetëm dy filma pas nisjes së universit të ri kinematografik.
Por pyetja më interesante është nëse “Supergirl” po sinjalizon një problem më të madh që shkon përtej një studioje të vetme.
Universi kinematografik i Marvel-it e mësoi publikun të besonte se edhe personazhet më të vegjël mund të kishin rëndësi, sepse ata ishin pjesë e një rrjeti më të madh që çonte drejt ngjarjeve kolosale si “Avengers”. Por kur një film si “Supergirl” dështon të ngjallë interes, fillon të duket qartë se kjo formulë po plasaritet. E njëjta gjë vlen edhe për filma si “Eternals”, “Madame Web” apo “The Flash”.
Universet kinematografike janë ndërtuar si struktura që zgjerohen vazhdimisht, ku çdo film është një pjesë e një mozaiku të madh. Por kur një nga këto pjesë nuk funksionon, edhe pjesa tjetër fillon të humbasë kohezionin. A do të shfaqet “Supergirl” në filmin e ardhshëm “Man of Tomorrow” për të treguar se ky personazh ka ende peshë? Kjo mund të jetë një nga rrugët e mundshme për DC-në, nëse projektet e ardhshme të James Gunn rezultojnë të suksesshme.
Në të njëjtën kohë, DC mund të detyrohet të kthehet tek personazhet më të njohur. Regjisori Andy Muschietti po përgatit një film të ri për Batman-in, “The Brave and the Bold”, që do të jetë pjesë e universit kryesor, ndërsa versioni i Robert Pattinson-it mbetet në një linjë të veçantë narrative dhe nuk do të lidhet me Superman-in apo Wonder Woman-in. Po ashtu, projekte më të vogla si “Clayface” mund të mbeten jashtë presionit të madh të universit të përbashkët.
Nëse kjo ndodh, atëherë e ardhmja e DC-së mund të reduktohet në disa figura kryesore si Superman dhe Batman, ndërsa pjesa tjetër e projekteve do të mbijetojë vetëm si eksperimente të pavarura. Por kjo nuk është padyshim nisja që kishin shpresuar James Gunn dhe Peter Safran.
Nga ana tjetër, problemi mund të jetë edhe më i madh për Marvel-in. Sony tashmë ka dështuar të ndërtojë interes rreth personazheve si “Morbius”, “Kraven the Hunter” apo “Madame Web”. Dhe nëse publiku fillon të humbasë interesin për superheronj më pak të njohur, atëherë edhe filmat e mëdhenj bashkëpunues të Marvel-it mund të rrezikohen.
A do t’i interesojë audiencës një përballje mes Shang-Chi dhe Doctor Doom në “Secret Wars”, nëse filmi i fundit i këtij personazhi është vite më parë? Tashmë ka shumë më pak filma të këtij zhanri në kinema se disa vite më parë, dhe edhe përmbajtja televizive që dikur mbushte këtë univers po kufizohet gjithnjë e më shumë. Edhe cilësia e paqëndrueshme e këtyre filmave po e dëmton të gjithë sistemin.
Kundërshtarët e këtij zhanri mund të gëzohen për këtë rënie. Por do të ishte ironike nëse pikërisht ajo që e bëri këtë epokë të suksesshme — ideja e një universi të përbashkët ku Spider-Man mund të bënte shaka me Iron Man dhe Thor — të jetë në fund edhe arsyeja e rrëzimit të saj.
