Nga Leonard Veizi
Në historinë e teatrit botëror, pak autorë kanë ditur t’i zhveshin maskat e hipokrizisë njerëzore me saktësinë e një kirurgu sa Luixhi Pirandelo. Paçka se njihet botërisht për kryeveprat e tij të mëvonshme avangarde, gjurmët e para të gjenialitetit të tij nisin që në vitin 1892 me një dramë modeste në përmasa, por monumentale në peshë: “La morsa” ose “Dara”, e shkruar fillimisht nën titullin “Epilogo”. Kjo vepër me një akt, e cila rreshtohet si një nga gurët e themelit të traditës italiane të verizmit dhe teatrit borgjez, merr një temë pezulluese dhe pothuajse klishe – trekëndëshin e dashurisë – për ta kthyer në një eksperiment klaustrofobik të psikologjisë njerëzore.
Një martesë pa dashuri dhe një tradhti në heshtje
Në qendër të subjektit qëndron Xhulia, një grua e bllokuar në një martesë të ftohtë e shpërfillëse me Andrea Fabri-n. Në kërkim të epërsisë shpirtërore dhe pasionit që i mungon në vatrën familjare, ajo nis një lidhje të fshehtë me Antonio Serrën. Ironia dhe pesha e fajit rëndohen edhe më shumë nga fakti se Antonio nuk është thjesht një i huaj, por avokati dhe miku më i ngushtë i bashkëshortit të saj.
Konflikti merr një kthesë drithëruese në momentin e kulmit, kur Andrea zbulon tradhtinë. Por, ndryshe nga ç’mund të pritej nga kodet e nderit të kohës, ai nuk shpërthen në dhunë të menjëhershme apo në një duel primitiv. Pirandelo zgjedh një rrugë shumë më sadiste: Andrea vendos t’i shtrëngojë ngadalë gruan dhe ish-mikun e tij në një “darë” psikologjike. Përmes aludimeve të holla, vështrimeve të heshtura që peshojnë si plumb dhe kërcënimeve të mbuluara medje me kortezi borgjeze, ai ua merr frymën tradhtarëve përpara se t’i ekzekutojë moralisht.
Vetmia e llogaridhënies dhe zgjidhja tragjike
Kur maskat bien përfundimisht dhe Andrea i përball me të vërtetën, fasada e dashurisë pasionante shembet. Antonio tregohet një frikacak i rëndomtë; ai e braktis Xhulian përballë zemërimit të bashkëshortit për të shpëtuar veten. E mbetur fillikat, Giulia përballet medje me dënimin ekstrem të Andreas: dëbim nga shtëpia dhe mohim i të drejtës për të parë fëmijët e saj. Kur ajo i lutet në gjunjë për mëshirë, ai i përgjigjet me një ftohtësi akulli, duke e shtyrë drejt vetëvrasjes. E pushtuar nga dëshpërimi absolut, Xhulia hyn në dhomën ngjitur dhe qëllon veten.
Ndërsa Antonio nxiton drejt skenës së krimit, drama mbyllet me një nga fjalitë më therëse dhe hipokrite të historisë së teatrit, të cilën Andrea ia drejton ish-mikut të tij mbi trupin e pajetë të gruas: Tu l’hai uccisa!).
-“Ti e vrave!”
Anatomia e një vrasjeje kolektive
Gjenialiteti i “La morsa” qëndron pikërisht te ky fund. Andrea, i cili me llogari të ftohtë i sugjeroi armën dhe e çoi të shoqen drejt greminës, lan duart nga faji dhe ia faturon atë palës tjetër. Pirandelo këtu ngre një pyetje që i drejtohet vetë publikut: Kush e vrau në të vërtetë Xhulian? Antonio me frikën e tij? Andrea me mizorinë llogaritëse? Apo një kod shoqëror i kalbur që e konsideron gruan pronë dhe fasadën morale më të rëndësishme se jetën njerëzore?
Në këtë dramë, “dara” nuk është vetëm taktika e hakmarrjes së një burri të lënduar; ajo është vetë shoqëria borgjeze, ku normat kthehen në pranga dhe individët në gjykatës të pamëshirshëm. Edhe pas më shumë se një shekulli, kjo vepër e hershme e Pirandelos mbetet një paralajmërim drithërues për çmimin e lartë që paguan njeriu kur njihet vetëm si objekt i moralit të rremë.
“Morsa” në shqip
Në teatrin shqiptar, “Morsa” është ngjitur në skenë si punë diplome nga regjisori Milto Kutali, i cili përzgjodhi në kastin e aktorëve emra të njohur si Pavlina Mani, Leka Shiplaku dhe Vangjel Toçe.
