Last Updated on 04/07/2026 by Anisa
Shërbimi Gjerman për Asgjësimin e Mjeteve Shpërthyese (KMBD) ka nxjerrë nga lumi Neisse, pranë qytetit Forst në rajonin e Luzacisë, një top sovjetik të përdorur gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Arma u zbulua gjatë punimeve në shtratin e lumit, pranë kufirit me Poloninë, rreth 20 kilometra nga qyteti i Cottbus. Bëhet fjalë për një top këmbësorie sovjetik 76 milimetra, modeli M1943, i përdorur nga Ushtria e Kuqe. Sipas ekspertit të KMBD-së, Enrico Schnick, arma ishte e mbuluar nga ndryshku, por në gjendje të habitshme ruajtjeje. “Ajo është ruajtur kaq mirë sepse për dekada ka qëndruar e mbuluar nga balta dhe rëra e lumit Neisse.
Nuk më kujtohet një zbulim i ngjashëm në rajonin tonë,” tha Schnick për transmetuesin gjerman RBB.
Qyteti i Forst, në Luzacinë e Poshtme, u shkatërrua pothuajse tërësisht gjatë luftimeve të ashpra mes Wehrmacht-it gjerman dhe Ushtrisë së Kuqe në prill të vitit 1945. Sot ai numëron rreth 17 mijë banorë. Sipas gazetës Berliner Morgenpost, Bashkimi Sovjetik prodhoi më shumë se 5 mijë topa të tipit M1943, kryesisht gjatë Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë, arma e gjetur nuk pritet të përfundojë në një muze.
Ajo është transportuar në qendrën e çmontimit të KMBD-së në Kummersdorf, ku sipas autoriteteve do të asgjësohet në mënyrë të sigurt. Zbulime të armëve dhe municioneve të mbetura nga Lufta e Dytë Botërore vazhdojnë të jenë të zakonshme në Evropë. Në vitin 2025, trafiku hekurudhor në Paris u ndërpre për shkak të çaktivizimit të një bombe të pashpërthyer, ndërsa një vit më parë mbi 20 mijë banorë u evakuuan në Këln, pasi u zbulua një tjetër bombë e mbetur nga lufta.
