Shpesh kemi një ide të ngurtë për atë se si duket një njeri inteligjent: gjithmonë i organizuar, produktiv, i gatshëm për çdo sfidë dhe me gjithçka nën kontroll. Por në realitet, inteligjenca nuk ka të bëjë me të qenit vazhdimisht i zënë apo i lodhur nga puna.
Sipas studiuesve, njerëzit me inteligjencë të lartë e dinë se energjia mendore dhe fizike është e kufizuar. Pikërisht për këtë arsye, ata zhvillojnë zakone që nga jashtë mund të duken si “dembelizëm”, por që në fakt i ndihmojnë të funksionojnë më mirë në planin afatgjatë.
1. Shmangin punën e panevojshme
Në pamje të parë mund të duket sikur nuk duan të punojnë fort, por në të vërtetë ata kërkojnë mënyrën më efikase për të arritur të njëjtin rezultat.
Në vend që të harxhojnë kohë me procese të gjata, automatizojnë detyrat, eliminojnë hapat e panevojshëm dhe gjejnë zgjidhje më të zgjuara. Studime mbi funksionimin e trurit kanë treguar se personat me inteligjencë më të lartë përdorin më pak energji mendore për të zgjidhur të njëjtin problem, një fenomen i njohur si “efikasiteti nervor”.
Me pak fjalë, ata nuk punojnë domosdoshmërisht më shumë, por punojnë më zgjuar.
2. Flenë më shumë (dhe nuk ndihen fajtorë për këtë)
Të flesh gjatë ose të bësh një sy gjumë shpesh lidhet me mungesën e produktivitetit, por shkenca tregon të kundërtën.
Studimet kanë zbuluar se gjumi ndihmon trurin të përpunojë informacionin, të forcojë kujtesën, të rregullojë emocionet dhe të përmirësojë aftësinë për të zgjidhur probleme. Madje, disa kërkime kanë gjetur lidhje mes inteligjencës dhe proceseve të caktuara të trurit që ndodhin gjatë gjumit.
Për këtë arsye, shumë njerëz inteligjentë e konsiderojnë gjumin si një investim në performancën e tyre dhe jo si kohë të humbur.
3. Nuk reagojnë për çdo gjë
Jo çdo debat meriton përgjigje dhe jo çdo kritikë ia vlen të marrë gjithë vëmendjen tuaj.
Njerëzit me inteligjencë emocionale të zhvilluar dinë të zgjedhin betejat e tyre. Ata pranojnë atë që u shërben, lënë pas atë që nuk ka rëndësi dhe nuk harxhojnë energji duke u kapur pas çdo situate stresuese.
Kërkimet tregojnë se aftësia për t’u shkëputur psikologjikisht nga stresi lidhet me shëndet më të mirë mendor, më pak ankth dhe më shumë mirëqenie.
Inteligjenca nuk duket gjithmonë si produktivitet ekstrem
Në fund, inteligjenca nuk matet me orët e gjata të punës apo me faktin se je vazhdimisht i zënë. Shpesh, njerëzit më inteligjentë janë ata që dinë të kursejnë energjinë e tyre, të pushojnë kur është e nevojshme dhe të mos harxhojnë kohë me gjëra që nuk kanë vërtet rëndësi. Ndonjëherë, ajo që duket si “dembelizëm” është thjesht një mënyrë më e zgjuar për të jetuar dhe punuar./mxh
