Britania e Madhe, Italia dhe Japonia kanë hedhur një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të avionit të ri luftarak të gjeneratës së ardhshme, duke nënshkruar një kontratë me vlerë 4,6 miliardë paund (rreth 6,1 miliardë dollarë) për projektimin e tij.
Marrëveshja është pjesë e Programit Global të Aviacionit Luftarak (GCAP), i cili synon të sjellë në përdorim një avion të avancuar stealth deri në vitin 2035.
Avioni do të zhvillohet nga “Edgewing”, një sipërmarrje e përbashkët mes kompanisë britanike “BAE Systems”, “italianes Leonardo” dhe “Japan Aircraft Industrial Enhancement Company”.
Sekretari britanik i Mbrojtjes, Luke Pollard, e cilësoi kontratën si një moment të rëndësishëm që përcakton kërkesat kryesore teknike dhe fazat e testimit të projektit.
Sipas tij, programi forcon bashkëpunimin me aleatët, mbështet mijëra vende pune të specializuara në Britani dhe do t’i japë Forcave Ajrore Mbretërore kapacitete moderne për dekadat e ardhshme.
Sipas planit të ri britanik të investimeve në mbrojtje, avioni GCAP do të operojë së bashku me flotën ekzistuese të avionëve “Typhoon” dhe “F-35”, si edhe me mjete ajrore autonome, ndërsa ushtria britanike po rrit fokusin te përdorimi i dronëve në operacionet ushtarake.
Qeveria britanike ka parashikuar një investim prej 8,6 miliardë paundësh për programin gjatë katër viteve të ardhshme./mxh
