Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka reaguar pas pretendimeve të ngritura nga avokati Gentian Serjani, përfaqësues ligjor i të arrestuarit Niko Qarkaj, se klienti i tij është dhunuar ndërkohë që është i ndaluar.
Përmes një reagimi publik, Lamallari tha se menjëherë pas deklaratave të bëra publike ka kërkuar informacion nga Policia e Shtetit, e cila, sipas tij, i ka bërë me dije se pretendimet janë “totalisht të pabaza dhe të pavërteta”.
Ministri bëri të ditur se Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur verifikimet për rastin, duke administruar të gjithë informacionin e nevojshëm.
Sipas Lamallarit, edhe Avokati i Popullit, i cili ka vepruar në mënyrë të pavarur duke vizituar të ndaluarit për të verifikuar pretendimet për dhunë, nuk ka konstatuar shkelje të kësaj natyre.
Ai paralajmëroi se, nëse edhe AMP-ja arrin në të njëjtin përfundim, Policia e Shtetit do të referojë çështjen në Prokurori ndaj deklaruesit, në përputhje me legjislacionin në fuqi, si edhe do të kërkojë shqyrtimin e rastit në Dhomën Kombëtare të Avokatisë për përgjegjësi etike dhe profesionale të avokatit.
“Duke marrë shkas nga deklaratat e bëra publike si në videon bashkëlidhur i kam kërkuar menjëherë Policisë së Shtetit informacion mbi pretendimet e rastit në fjalë. Policia e Shtetit më ka informuar se pretendime të tilla janë totalisht të pabaza dhe të pavërteta.
Më pas Agjencia e Mbikeqyrjes Policore ka nisur menjëherë verifikimet mbi pretendimet e parashtruara duke administruar të gjithë informacionin e nevojshëm.
Por ndërkohë institucioni i Avokatit të Popullit, i cili ka vepruar kryesisht dhe pavarësisht prej Policisë së Shtetit duke i vizituar të ndaluarit për akte dhune, po ashtu nuk ka shtruar asnjë problem të kësaj natyre.
Nëse edhe AMP-ja do të dalë në të njëjtat konkluzione Policia e Shtetit i lind e drejta dhe detyrimi jo vetëm për referimin në prokurori të deklaruesit sipas përcaktimeve ligjore në fuqi lidhur me përhapjen e qëllimshme të thënieve që nxisin urrejtje, por edhe për referimin në Dhomën Kombëtare të Avokatisë ku buron liçenca e një avokati të dyshuar për papërgjegjshmëri etiko-profesionale./mxh
