Last Updated on 05/07/2026 by EL
Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, ka deklaruar se Britania e Madhe është “një vend i mrekullueshëm”, por sipas tij është “dështuar nga udhëheqja e saj për një kohë shumë të gjatë”.
Komentet u bënë në një intervistë për The Sunday Times, pas dorëheqjes së kryeministrit britanik Keir Starmer, i cili njoftoi muajin e kaluar largimin nga posti pas presionit të shtuar ndaj qeverisë dhe rezultateve të dobëta të Partisë Laburiste në zgjedhjet vendore të majit.
“Britania është një vend i bukur, një vend i jashtëzakonshëm. Por më duket se ka diçka shumë të prishur në politikën britanike. Njerëzit po kërkojnë ndryshime të thella strukturore,” u shpreh Vance.
Ai tha se shpreson që pasuesi i Starmer, qoftë Andy Burnham apo një tjetër politikan, të arrijë ta “rikthejë Britaninë në rrugën e duhur”.
Sipas raportimeve, Andy Burnham, ish-kryetar i Bashkisë së Greater Manchester dhe deputet i sapozgjedhur, konsiderohet një nga favoritët për të marrë drejtimin e Partisë Laburiste. Nëse zgjidhet kryeministër, ai do të bëhej kryeministri i shtatë i Britanisë në vetëm një dekadë.
Vance ka qenë shpesh kritik ndaj Britanisë dhe vendeve evropiane që prej marrjes së detyrës në janar 2025. Ai i ka akuzuar vazhdimisht qeveritë evropiane se kufizojnë lirinë e shprehjes dhe nuk kanë vepruar mjaftueshëm për të frenuar emigracionin e paligjshëm.
Edhe presidenti amerikan Donald Trump ka sulmuar më herët Keir Starmer, duke e kritikuar për politikat mbi emigracionin dhe energjinë, si edhe për refuzimin për të mbështetur ndërhyrjen ushtarake amerikane kundër Iranit.
Deklaratat e Vance pritet të shtojnë më tej tensionet mes administratës amerikane dhe aleatëve evropianë, marrëdhënie që janë përballur me përplasje të vazhdueshme muajt e fundit për çështje si emigracioni, liria e shprehjes dhe politika e sigurisë.
