Last Updated on 05/07/2026 by EL
Qeveria italiane ka ngritur alarmin pasi 80 ampula fentanil janë vjedhur nga farmacia e spitalit Israelitik në Romë, pa asnjë shenjë hyrjeje me forcë.
Sasia e zhdukur e këtij opioidi sintetik do të mjaftonte për të prodhuar deri në rreth 20 mijë doza për përdorim të paligjshëm. Fentanil është një substancë deri në 100 herë më e fortë se morfina dhe përdoret në mjekësi si anestetik dhe për trajtimin e dhimbjeve të forta, përfshirë pacientët me kancer.
Autoritetet italiane po e trajtojnë rastin si një çështje serioze sigurie publike, pasi substanca konsiderohet një nga drogat sintetike më të rrezikshme, me rrezik të lartë mbidoze edhe në sasi shumë të vogla.
Sipas hetimeve paraprake, vjedhja është raportuar nga përgjegjësja e farmacisë së spitalit më 24 qershor. Çuditërisht, kasaforta ku ruheshin ampulat nuk ka shenja thyerjeje, ndërsa çelësat e saj ishin në përdorim nga disa punonjës të spitalit.
Prokuroria e Romës ka hapur një hetim për vjedhje dhe posedim të lëndëve narkotike me qëllim trafikimi. Hetimet janë marrë përsipër nga njësia speciale e karabinierëve NAS.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ka nisur një inspektim dhe po përgatit masa të reja për forcimin e kontrollit mbi ruajtjen dhe përdorimin e fentanil-it në institucionet mjekësore.
Ngjarja ka çuar në një mbledhje urgjente në Palazzo Chigi, ku autoritetet kanë kërkuar zbatimin rigoroz të procedurave për menaxhimin e barnave me rrezik të lartë, me qëllim parandalimin e incidenteve të ngjashme./et
