Last Updated on 05/07/2026 by Monika
Ka nisur marshimi masiv i qytetarëve, të cilët po lëvizin drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për t’u vendosur në protestë përpara godinës së Kryeministrisë.
Ata u grumbulluan te sheshi Skënderbej në ora 19:00, ku më pas nisi dhe marshimi drejt Kryeministrisë.
Paralelisht paradite u mbajt edhe tubimi te Gjykata penale e Tiranës, ku u kërkua lirimi i 21 protestuesve të arrestuar më 2 korrik para Parlamentit.
Koordinatorët e tubimit u kanë bërë një thirrje të fortë të gjithë shqiptarëve, jo vetëm atyre brenda kufijve nga çdo cep i vendit, por edhe mbështetësve të shumtë të diasporës që kanë udhëtuar drejt Tiranës, që t’i bashkohen këtij marshimi vendimtar.
Sipas planit të organizimit grumbullimi i parë i dallgës së protestuesve do të nisë në sheshin “Skënderbej”.
Më pas, marshimi madhështor do të zhvendoset drejt godinës së Kryeministrisë, aty ku do të kulmojë edhe revolta qytetare.
Kërkesa kryesore e kësaj lëvizjeje mbetet vetëm një; rrëzimi i Edi Ramës.
Organizatorët kanë bërë të qartë se sheshet nuk do të braktisen dhe askush nuk do të tërhiqet pas deri në përmbushjen e plotë të këtij qëllimi.
Përmes mesazhit të prerë dhe të qartë “Ju erdhi fundi”, qytetarët janë ftuar të marrin pjesë masivisht në këtë përballje radhazi për të treguar se legjitimitetit të kësaj qeverie i ka ardhur fundi.
Sot është protesta e 36-të radhazi në kryeqytet, ndërsa kërkesa e revoltës mbetet e qartë, dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, kërkesë e panegociueshme, sipas protestuesve./mxh
