Autoritetet irakiane sekuestruan rreth 20 milionë dollarë në para dhe 5 kilogramë ar të fshehura brenda shisheve plastike të ujit gjatë një hetimi për korrupsion që përfshin ish-zëvendësministrin e Naftës për Çështjet e Rafinerisë, Adnan Al-Jumaili, tha sot Këshilli i Lartë Gjyqësor i vendit.
Një gjyqtar hetues në Gjykatën Qendrore Penale për Luftimin e Korrupsionit urdhëroi sekuestrimin e një shume shtesë prej 25 miliardë dinarësh irakianë (rreth 19 milionë dollarë) dhe 1 milion dollarë në para, tha këshilli në një deklaratë të publikuar nga agjencia shtetërore INA.
Autoritetet gjithashtu konfiskuan stoli ari me peshë rreth 5 kilogramë si pjesë e hetimit ndaj Jumailit dhe të dyshuarve të tjerë të lidhur me rastin, tha këshilli. Gjyqtari hetues tha se operacioni erdhi pas një përpjekjeje të gjerë për të gjurmuar përfitimet financiare të krijuara përmes parregullsive në projektet e kryera nga i dyshuari dhe të tjerët të përfshirë në rast.
Paratë ishin fshehur brenda shisheve plastike të ujit në shtëpinë e Jumailit në Tikrit, shtoi këshilli. Sekuestrimi i fundit e çon totalin e aseteve të konfiskuara në hetim në 127 miliardë dinarë irakianë (rreth 97 milionë dollarë amerikan) dhe 24 milionë dollarë në para, përveç pasurive të paluajtshme, automjeteve dhe arit të konfiskuar, sipas këshillit.
Ai tha se hetimi vazhdon dhe autoritetet po ndjekin edhe të dyshuar të tjerë deri në përfundimin e procedurave ligjore. Autoritetet irakiane njoftuan arrestimin e dhjetëra të dyshuarve javën e kaluar në raste të mëdha korrupsioni financiar dhe administrativ, përfshirë ligjvënës dhe zyrtarë qeveritarë të cilëve u ishte hequr imuniteti ligjor.
Arrestimet pasuan deklarata të bëra gjatë hetimit ndaj Jumailit, i cili u shkarkua nga posti më 2 qershor 2026, për akuza për shpërdorim të fondeve publike dhe dhënie kontratash të paligjshme./mxh
