Last Updated on 07/07/2026 by Kesjana
Një ndotje me naftë është konstatuar në ujërat e bregdetit të Borshit, në bashkinë Himarë, duke shkaktuar shqetësim te banorët dhe pushuesit që frekuentojnë zonën gjatë sezonit turistik.
Sipas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale dhe raportimeve nga vendi i ngjarjes, në sipërfaqen e detit dallohet një shtresë nafte, ndërsa në disa pjesë të vijës bregdetare janë vërejtur edhe mbetje të hidrokarbureve. Deri më tani nuk është bërë e ditur zyrtarisht burimi i ndotjes.
Ngjarja ka ngritur shqetësime jo vetëm për ndikimin në mjedis, por edhe për pasojat që mund të ketë në turizëm dhe ekosistemin detar. Ekspertët theksojnë se derdhjet e naftës mund të dëmtojnë florën dhe faunën detare, si dhe të cenojnë cilësinë e ujit në plazhe.
Banorët dhe pushuesit u bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse të ndërhyjnë sa më shpejt për identifikimin e shkakut të ndotjes, pastrimin e zonës dhe marrjen e masave për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të hidrokarbureve.
Pritet që autoritetet mjedisore dhe ato vendore të kryejnë verifikimet përkatëse dhe të japin një informacion zyrtar mbi situatën, si dhe mbi masat që do të merren për rikthimin e sigurisë mjedisore në zonë./kb
