Can Yaman ka vendosur të mos heshtë pas komenteve dhe lajmeve që qarkulluan së fundmi në mediat turke, ku aktori u përfol se kishte shtuar në peshë.
Ylli turk, i cili pritet të jetë këtë javë në Amerikë për një seri eventesh në kuadër të premierës së serialit “El Turco” në Telemundo, ka reaguar publikisht përmes një fotoje të realizuar në banjë, duke iu kundërpërgjigjur atyre që komentuan pamjen e tij fizike.
Me tone të ashpra dhe pa dorashka, Yaman tha se disa persona “të infiltruar në shtypin turk” po përpiqen të krijojnë histori të pavërteta rreth tij, duke e etiketuar si “të shëndoshë” apo duke pretenduar se po tërheq vëmendje për shkak të peshës.
“Shikoni çdo pjesë timen! Mos u shqetësoni, peshoj 105 kilogramë, por kam muskuj kudo. Thjesht dukem më i madh kur vesh kostum, nuk kam vënë bark,” u shpreh aktori.
Can Yaman theksoi se ndryshimet në trupin e tij lidhen me profesionalizmin dhe rolet që merr përsipër, duke shtuar se ai fiton apo humbet peshë sipas nevojës dhe nuk ka ndërmend të lërë pas dore veten.
“Nuk i ngjaj të gjithëve, jam jashtëzakonisht profesional. Shtoj peshë, humbas peshë, bëj çfarë është e nevojshme sipas rrethanave. Nuk kam ndërmend ta lë veten pas dore deri sa të vdes,” tha ai.
Aktori nuk kurseu as ironinë ndaj kritikëve, duke u sugjeruar që të kujdesen më shumë për veten dhe të mos presin “rrëzimin” e tij për t’u ndjerë të kënaqur.
“Besoj se edhe ju duhet të kujdeseni për veten dhe të mos neglizhoni palestrën. Mos prisni që unë të rrëzohem, të shkatërrohem apo të mbaroj nëse nuk stërvitem,” shtoi Yaman.
Në reagimin e tij, aktori u shpreh se tashmë është mësuar me sulmet dhe nuk preket më lehtë nga histori të tilla. Ai u kërkoi mediave dhe kritikëve të fokusohen te sukseset dhe gjërat pozitive, në vend që të përpiqen të dëmtojnë imazhin apo karizmën e tij.
“Nuk mund të më mërzisni me këto histori; me kalimin e viteve jemi forcuar. Fokusohuni te sukseset dhe te gjërat pozitive. Ndaloni së përpjekuri të më diskreditoni, të më shkatërroni apo të krijoni skandale përmes meje,” deklaroi ai.
Can Yaman mbylli reagimin duke theksuar se fjalët e tij nuk duhen interpretuar si sulm ndaj publikut apo kombit, por si një përgjigje ndaj atyre që sipas tij krijojnë lajme me qëllim të keq./mxh
