Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, deklaroi sot se materiali bërthamor i Iranit ndodhet në një thellësi të madhe nën tokë, sa sipas tij vetëm SHBA-ja disponon kapacitetet teknike për ta arritur, sipas BBC.
Duke folur për gazetarët gjatë një takimi me presidentin sirian, Ahmed al-Sharaa, në kuadër të samitit të NATO-s, në Ankara, Trump u pyet se si Uashingtoni synon të sigurojë materialin bërthamor që ndodhet ende në Iran, si edhe çfarë garancish kërkon nga udhëheqja iraniane, pasi më herët i kishte cilësuar negociatat me Teheranin si “humbje kohe”.
Trump deklaroi se SHBA-ja e kishte vënë tashmë nën kontroll situatën lidhur me materialin bërthamor, pasi ai ndodhet “aq thellë nën tokë sa askush nuk mund ta arrijë, përveç shtetit amerikan”.
Ai iu referua sulmeve amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane të kryera në qershor të vitit 2025.
Sipas Trump, materiali bërthamor ndodhet nën një mal, në një thellësi që kërkon makineri të specializuara dhe me kapacitete të larta, të cilat, sipas tij, i disponon vetëm SHBA-ja.
I pyetur nëse Uashingtoni po shqyrton mundësinë e dërgimit të trupave tokësore në Iran, Trump u përgjigj se një veprim i tillë nuk është në plan, duke shtuar se kjo do të merrej në konsideratë vetëm nëse Irani eliminohej plotësisht ose nëse arrihej një marrëveshje./mxh
