Kupa e Botës vazhdon të dëshmojë fuqinë e saj globale, jo vetëm në stadiume, por edhe në internet. Google ka regjistruar nivelin më të lartë të kërkimeve në historinë e platformës së saj, falë emocioneve të krijuara nga ndeshjet e turneut.
Sipas kompanisë, rekordi u arrit menjëherë pas golit të fitores së Argjentinës në ndeshjen e fazës me eliminim direkt të zhvilluar të martën, ku kombëtarja amerikano-latine realizoi një përmbysje dramatike ndaj Egjiptit.
Cristian Romero shënoi fillimisht për Argjentinën, ndërsa Lionel Messi barazoi rezultatin me golin e tij në minutën e 83-të, përpara se skuadra të siguronte fitoren në minutat e fundit të takimit.
“Google Search theu të gjitha rekordet e mëparshme të përdorimit dhe regjistroi trafikun më të lartë në historinë e saj menjëherë pas golit të fitores së Argjentinës në ndeshjen e djeshme”, shkroi Nick Fox, drejtuesi i njësisë së Knowledge & Information në Google. Edhe pse kompania nuk publikoi shifra konkrete, një zëdhënës i Google konfirmoi për CNBC se numri i kërkimeve për sekondë arriti nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë në historinë e motorit të kërkimit.
Ngjarja vjen në një moment kur Google po përpiqet të dëshmojë se motori i saj tradicional i kërkimit mbetet po aq i rëndësishëm edhe në epokën e inteligjencës artificiale, ku chatbot-et dhe asistentët AI po ndryshojnë mënyrën se si njerëzit kërkojnë informacion online.
Megjithatë, Google vazhdon të dominojë tregun global të kërkimit me rreth 90% të pjesës së tregut, ndërsa kompania ka regjistruar rritje të fortë të të ardhurave dhe performancë pozitive në bursë gjatë vitit të fundit.
Pas ndeshjes, kërkimi më i popullarizuar në Google ishte “Argentina vs Egypt”. Në nivel global, përdoruesit kërkuan gjithashtu terma si “Argentina x Colombia”, “Sa gola ka shënuar Messi në Kupën e Botës?” si dhe pyetje të tjera të lidhura me ndeshjen dhe karrierën e yllit argjentinas.
Mes pyetjeve më interesante që u shfaqën në kërkimet globale ishin edhe: “Si quhet kur një lojtar godet një lojtar tjetër gjatë ndeshjes?” dhe “A është kjo Kupa e fundit e Botës për Messin?”./ad
