Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po zhvillohet seanca e radhës e procesit ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, të cilët akuzohen për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Në këtë seancë, Ilir Meta nuk përfaqësohet më nga avokati Kujtim Cakrani, ndërsa mbrojtësi i tij i ri është Bujar Musta, ish-gjyqtar i shkarkuar nga procesi i vettingut për probleme me pasurinë.
Vetë Meta është i pranishëm në sallën e gjyqit dhe ka pretenduar se nuk i janë vënë në dispozicion të gjitha aktet e dosjes hetimore. Sipas tij, mungesa e dokumenteve e pengon përgatitjen e një mbrojtjeje efektive.
Nga ana tjetër, gjyqtari Erion Bani deklaroi se sekretaria e gjykatës ka ndjekur procedurat për dorëzimin e akteve, por sipas tij mbrojtësi i mëparshëm kishte refuzuar marrjen e tyre për shkak të pretendimeve mbi vulat e dokumenteve.
Avokati i ri i Metës deklaroi se nuk ishte në dijeni të këtij pretendimi dhe se do të paraqitej në sekretari për të tërhequr aktet.
Gjatë seancës, mbrojtja paraqiti kërkesa paraprake duke kërkuar pavlefshmërinë dhe papërdorshmërinë e disa provave të administruara nga SPAK.
Mes provave të kundërshtuara është edhe një SMS e pretenduar mes Ilir Metës dhe biznesmenit Kastriot Ismailaj në lidhje me çështjen CEZ-DIA, ku përmendet një shumë prej 200 mijë eurosh. Mbrojtja pretendon se autenticiteti i mesazhit nuk është provuar dhe kërkon ekspertim për të vërtetuar nëse ai është i manipuluar.
Po ashtu, avokati kërkoi të mos përdoren si prova dëshmitë e disa personave, përfshirë Dritan Priftin dhe Ervis Matajn, si dhe kërkoi një ekspertim të ri financiar për analizën mbi të cilën SPAK ka ngritur akuzat.
Në seancat e mëparshme, mbrojtja e Metës ka paraqitur një listë me 134 persona që kërkon të thirren si dëshmitarë, ndërsa SPAK ka propozuar 110 dëshmitarë.
Pas përfundimit të kërkesave të mbrojtjes së Metës, pritet të shqyrtohen edhe kërkesat e Monika Kryemadhit dhe më pas GJKKO do të vendosë për listën e dëshmitarëve që do të pyeten gjatë procesit./kb
