Këshilli i Lartë Gjyqësor ka rrëzuar kërkesën e Pamela Qirkos, ish-anëtare dhe ish-kryetare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), e cila synonte të emërohej si gjyqtare në Gjykatën e Apelit.
Pamela Qirko, motra e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, ishte pjesë e listës prej 10 juristësh të institucioneve të Vetingut që kishin aplikuar për t’u futur në sistemin e gjykatave të Apelit pas përfundimit të mandatit të tyre kushtetues.
Në mbledhjen e zhvilluar këtë të premte, KLGJ mori vendimin për rrëzimin e kërkesës së saj, duke mos i dhënë dritën jeshile për të veshur togën e zezë në shkallën e dytë të gjyqësorit.
Së bashku me Qirkon, KLGJ rrëzoi edhe kërkesat e 9 kolegëve të saj të tjerë nga KPK duke mbyllur për momentin rrugën e kalimit të tyre të drejtpërdrejtë në trupat gjykuese të Apelit.
Njoftimi:
Sot, më datë 10.07.2026, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi Mbledhjen Plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si më poshtë:
Në përmbushje të detyrimeve ligjore, Këshilli miratoi raportin e vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtares znj. Brunilda Kadi, për vitin 2024.
Këshilli vendosi të shtyjë shqyrtimin e projektvendimit “Për vlerësimin etik dhe profesional të gjyqtarit z. Adrian Shega për periudhën 2021-2023”.
Këshilli vendosi për caktimin me short të relatorit për procedimin disiplinor nr. 1/2026, të filluar ndaj magjistrates znj. Suela Dashi, me funksion gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër.
Këshilli vendosi për zgjatjen e afatit të caktimit në skemën e delegimit të gjyqtarit z. Sokol Ibi.
Në vijim, Këshilli miratoi vendimin për ricaktimin e gjyqtarit të skemës së delegimit z. Sokol Ibi, në Gjykatën Administrative të Apelit.
Këshilli vendosi rrëzimin e kërkesave, për caktimin në pozicionin gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm për:
znj. Suela Zhegu;
znj. Firdes Shuli;
znj. Alma Faskaj;
znj. Brunilda Bekteshi;
znj. Pamela Qirko;
z. Olsi Komici;
znj. Valbona Sanxhaktari;
znj. Xhensila Pine;
znj. Etleda Çiftja;
z. Roland Ilia.
Pas hedhjes së shortit, Këshilli vendosi për zëvendësimin e nëpunëses përgjegjëse për vlerësimin znj. Merita Karaj në procedurat e vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtarëve.
Më tej, Këshilli vendosi për deklarimin e përfunduar pa një vendim përfundimtar të procedurës së verifikimit të pasurisë dhe figurës për kandidaten për në programin e formimit fillestar, në Shkollën e Magjistraturës, viti akademik 2026-2027, profili ndihmës ligjor, znj. Kledjana Llalla.
Këshilli vendosi të shtyjë shqyrtimin e projektvendimit “Mbi rishpërndarjen (transferimin) e fondeve buxhetore në programin 03310, buxheti i gjykatave, në shpenzime korrente, për vitin buxhetor 2026”.
Në përfundim, Këshilli vendosi për miratimin e procesverbaleve të mbledhjeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor të datave 29.04.2026 dhe 06.05.2026./ad
