Qyteti italian i Piacenzës ka zbuluar një mural gjigant në nderim të stilistit të famshëm Giorgio Armani, në prag të ditëlindjes së tij.
Vepra e artit, me përmasa 27 metra lartësi dhe 11 metra gjerësi, është pikturuar në fasadën e një pallati banimi në periferi të qytetit, vendlindjes së Armanit, i cili lindi në Piacenza në vitin 1934.
Murali me titull “Tribute to Giorgio Armani” u krijua nga artisti urban Kote dhe u përzgjodh përmes një konkursi të shpallur nga kryebashkiakja e Piacenzës, Katia Tarasconi, pas ndarjes nga jeta të stilistit në shtator të vitit 2025.
Tarasconi tha se historia e Armanit është një mesazh frymëzues për të rinjtë, pasi ai vinte nga një familje modeste dhe arriti suksesin përmes punës dhe përkushtimit.
“Armani nuk nisi aty ku përfundoi. Ai erdhi nga një familje shumë e thjeshtë dhe ia doli vetë. Besoi te vetja dhe punoi fort”, u shpreh kryebashkiakja.
Në mural, njëra gjysmë e fytyrës së stilistit është e dallueshme qartë, ndërsa pjesa tjetër është krijuar si një mozaik me figura që lidhen me botën e modës, përfshirë një rrobaqepëse duke qepur pëlhurë.
Sfondi i veprës përfshin elemente simbolike të qytetit, si lumi Trebbia dhe harqet e Teatrit Komunal të Piacenzës, ku Armani mori një diplomë nderi në vitin 2023.
Në pjesën e poshtme të muralit paraqiten gra, historia dhe karriera e të cilave janë ndikuar nga krijimtaria e stilistit italian.
Zbulimi i veprës u shoqërua me një ceremoni ku u përdor edhe një instalacion tekstili i krijuar nga materiale të ricikluara, i cili u hoq për të zbuluar muralin gjigant./mxh
