Shqipëria dhe Italia thellojnë bashkëpunimin në fushën doganore, me fokus modernizimin e sistemeve, shkëmbimin elektronik të të dhënave dhe përdorimin e inteligjencës artificiale në proceset doganore.
Drejtori i përgjithshëm i Administratës Doganore Shqiptare, Besmir Beja zhvilloi një vizitë në Agjencinë Italiane të Doganave dhe Monopoleve, ku u prit nga drejtori i përgjithshëm, Roberto Alesse.
Gjatë takimit, palët vlerësuan partneritetin e konsoliduar ndërmjet dy administratave, të ndërtuar mbi më shumë se 25 vite bashkëpunimi të suksesshëm.
Në kuadër të vizitës, Beja zhvilloi gjithashtu takime me drejtues të lartë të Agjencisë Italiane të Doganave dhe Monopoleve, si edhe me përfaqësues të Guardia di Finanza, ku u diskutua mbi forcimin e bashkëpunimit në fusha prioritare.
Sipas njoftimit të Administratës Doganore, diskutimet u përqendruan te modernizimi i sistemeve doganore, shkëmbimi elektronik i të dhënave, menaxhimi i riskut, përdorimi i inteligjencës artificiale në proceset doganore, si dhe zbatimi i sistemeve të reja evropiane, me synim rritjen e efikasitetit, sigurisë dhe lehtësimin e tregtisë.
Agjencia Italiane e Doganave dhe Monopoleve mbetet një nga partnerët kryesorë të Administratës Doganore Shqiptare në procesin e modernizimit, duke ofruar ndër vite asistencë teknike, ekspertizë, trajnime dhe mbështetje për përafrimin e legjislacionit dhe procedurave doganore me standardet e Bashkimit Evropian./mxh
