Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi ka reaguar sot ndaj programit “Rilindja 2.0” të prezantuar nga kryeministri Edi Rama, duke e cilësuar atë si një “rikthim të premtimeve të vjetra” dhe duke kritikuar bilancin e qeverisjes së deritanishme.
Në një deklaratë për mediet, Boçi u shpreh se “kur një qeveri detyrohet t’i vendosë numër të ri të njëjtës propagandë, do të thotë se produkti i parë ka dështuar dhe nuk është vizion i ri”.
Sipas tij, objektivat e prezantuara në programin e ri, përfshirë përmirësimin e furnizimit me ujë, transportin publik, menaxhimin e mbetjeve, strehimin, kanalizimet dhe shërbimet publike, janë çështje që “kanë qenë nën kontrollin e qeverisë prej më shumë se një dekade”.
“Është mashtrim i ri, ose më qartë është paketim i ri për dështimet e vjetra. Pas 13 vitesh në pushtet, Rama nuk foli si njeriu që mban përgjegjësi direkte për Shqipërinë e sotme që qytetarët e revoltuar në shesh e anatemojnë me të drejtë. Ai foli pikërisht si opozitar i vetvetes. Të gjitha problemet që renditi si objektiva të ‘Rilindjes 2.0’, duke filluar nga uji, transporti publik, mbetjet, parkimet, strehimi, kanalizimet, shkollat, siguria, shërbimet publike dhe cilësia e jetës, janë fusha që i ka pasur nën kontroll absolut si Kryeministër prej më shumë se një dekade. Dhe nëse sot na premtoka t’i zgjidhë, atëherë pranon hapur se nuk i ka zgjidhur dje”, tha Boçi.
Nënkryetari i PD-së kritikoi edhe reformën territoriale të vitit 2014, duke pretenduar se ajo nuk ka sjellë fuqizimin e pushtetit vendor.
“Nëse bashkitë sot kanë ende nevojë për një paketë gjigante shpëtimi nga qendra, atëherë reforma nuk prodhoi pushtet vendor, prodhoi varësi totale nga Kryeministri”, u shpreh ai.
Boçi ngriti gjithashtu pikëpyetje për paketën e investimeve prej 1,5 miliardë eurosh të prezantuar nga qeveria, duke kërkuar transparencë mbi burimin e fondeve dhe mënyrën e shpërndarjes së tyre.
“Vetë premtimi prej 1,5 miliardë eurosh ngre më shumë pyetje sesa jep përgjigje. Nga do të vijnë këto para? Sa janë grantet? Sa janë borxh? Kush i vendos prioritetet?”, tha Boçi.
Sipas tij, ndryshimi i emërtimeve të programeve qeveritare nuk shoqërohet me ndryshim të realitetit për qytetarët.
“Historia e ‘Rilindjes Urbane’ nuk është historia e zhvillimit të balancuar. Është historia e projekteve selektive, e fasadave elektorale dhe e shpërndarjes politike të investimeve.
Për më tepër, kjo paketë prezantohet pikërisht në momentin kur qeveria po përgatit një reformë të re territoriale, pa bërë asnjë bilanc serioz të së parës. Fillimisht dështojnë reformën. Pastaj shpallin një program për të mbuluar dështimin. Më pas përgatisin një reformë tjetër pa pranuar përgjegjësi për të parën. Ky nuk është planifikim. Është riciklim propagande. Në fund, Rama përdori metaforën e ‘fallxhores’. Por në të vërtetë, problemi nuk janë qytetarët që kërkojnë zgjidhje. Problemi është pushteti që prej 13 vitesh premton mrekulli me emra gjithëfarësoj ngjyrash e gjithfarësoj modernizmash: Rilindje, Shqipëria 2030, Ballkani i Hapur, Paketa e Maleve, Rilindja 2.0, Albanian Files. Emrat ndryshojnë, sloganet ndryshojnë, por realiteti mbetet po ai”, deklaroi nënkryetari i PD-së.
Në përfundim të reagimit të tij, Boçi e cilësoi “Rilindjen 2.0” si “një pranim se versioni i mëparshëm ka dështuar”, duke përsëritur akuzat ndaj qeverisë për mungesë rezultatesh në shërbimet publike./mxh
