Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran, deklaroi nga Korça se protestat qytetare janë një pjesë normale e funksionimit të demokracisë, ndërsa theksoi se sfida kryesore për politikën shqiptare mbetet krijimi i një dialogu konstruktiv mes palëve.
Tarran vlerësoi zhvillimin kryesisht paqësor të protestave në vend, duke nënvizuar se qytetarët duhet të kenë të drejtën për t’u shprehur lirisht.
“Protestat janë një aspekt normal i jetës demokratike dhe gëzohem që Shqipëria është bërë një vend ku protesta të tilla organizohen në mënyrë shumë qytetare dhe paqësore. Ka pasur disa incidente, por në përgjithësi, pas më shumë se një muaji, nuk ka pasur incidente të rënda”, tha ambasadori i OSBE-së.
Duke folur për situatën politike në vend, Michel Tarran u ndal te polarizimi i lartë mes forcave politike, duke theksuar se prania e disa kampeve politike është një element i zakonshëm në demokraci.
“Fakti që ekzistojnë dy, tre apo më shumë pole në politikë është diçka normale. Është një karakteristikë e vendeve demokratike. Fatkeqësisht, dialogu politik në Shqipëri nuk është në nivelin e duhur”, u shpreh ai.
Sipas ambasadorit të OSBE-së, përmirësimi i komunikimit dhe bashkëpunimit ndërmjet palëve politike mbetet një nga çështjet kryesore për forcimin e institucioneve demokratike në Shqipëri./mxh
