Nga Leonard Veizi
Në historinë e futbollit botëror ka episode që i kalojnë kufijtë e një loje, duke u shndërruar në tragjedi njerëzore. Rasti më i dhimbshëm mbetet ai i mbrojtësit kolumbian Andres Eskobar gjatë Botërorit të vitit 1994 në Shtetet e Bashkuara. Ajo që ndodhi në fushë nuk ishte një penallti e humbur, por një autogol vendimtar që do të ndryshonte tragjikisht fatin e tij.
Çasti fatal në Pasadena
Kolumbia mbërriti në Botërorin e vitit 1994 me pritshmëri të jashtëzakonshme. Madje, legjenda braziliane Pele e kishte cilësuar si një nga pretendentet kryesore për titullin botëror. Megjithatë, pritshmëritë e mëdha u shndërruan shpejt në një barrë të rëndë.
Më 22 qershor 1994, në stadiumin “Rose Bowl” të Pasadenës, Kolumbia u përball me vendin organizator, SHBA-në. Në pjesën e parë, pas një topi të dërguar në zonë nga amerikani John Harkes, Andres Eskobar u përpoq të largonte rrezikun, por e devijoi topin në portën e tij. Autogoli i tij i dha epërsinë SHBA-së, e cila fitoi ndeshjen 2–1, duke i shkaktuar Kolumbisë një eliminim të parakohshëm dhe shokues që në fazën e grupeve.
Kthimi në një atdhe të tensionuar
Kur kombëtarja u kthye në Kolumbi, lojtarët nuk u pritën si një ekip që kishte humbur një ndeshje futbolli. Vendi po kalonte një nga periudhat më të dhunshme të historisë së tij, ku futbolli ndërthurej me krenarinë kombëtare, por edhe me interesat e karteleve të drogës dhe me miliona dollarë që qarkullonin në bastet e paligjshme.
Autogoli i Eskobarit u kthye në simbolin e zhgënjimit kombëtar. Edhe pse kishte marrë paralajmërime për të qenë i kujdesshëm, ai nuk u fsheh. Me qetësinë që e karakterizonte, vazhdoi jetën normale dhe u përpoq t’i jepte fund polemikave. Në një artikull të botuar në një gazetë kolumbiane, ai shkroi: “Jeta nuk mbaron këtu. Ne duhet të vazhdojmë përpara.”
Vrasja që tronditi botën
Mbrëmjen e 2 korrikut 1994, vetëm dhjetë ditë pas autogolit, Escobar doli me miqtë në Medellín. Jashtë lokalit “El Indio” u përfshi në një debat me disa persona, të cilët e tallnin për gabimin në Botëror.
Pak çaste më vonë, ai u qëllua gjashtë herë me armë zjarri. Sipas dëshmive, autori bërtiste “Gol!” pas çdo të shtënë, në një akt makabër që tronditi opinionin publik. Eskobar humbi jetën në moshën vetëm 27-vjeçare.
Për vrasjen u dënua Humberto Muñoz Castro, truprojë e vëllezërve Gallón, biznesmenë të lidhur me qarqe të fuqishme kriminale. Edhe pse motivi i saktë mbetet objekt debatesh, ngjarja është lidhur gjerësisht me klimën e dhunës, bastet e paligjshme dhe zemërimin që pasoi eliminimin e Kolumbisë nga Botërori.
Një simbol që mbijetoi
Vrasja e Andres Eskobarit tronditi botën e futbollit dhe e shndërroi atë në simbol të një epoke të errët në historinë e Kolumbisë, kur sporti, krimi dhe dhuna ndërthureshin në mënyrë tragjike.
I njohur si “El Caballero del Fútbol” (“Xhentëlmeni i Futbollit”), Eskobar kujtohet jo për autogolin e tij, por për dinjitetin me të cilin e përballoi atë. Historia e tij mbetet një nga dëshmitë më të dhimbshme se si një gabim sportiv mund të marrë përmasa tragjike kur urrejtja, dhuna dhe interesat kriminale zëvendësojnë arsyen.
