Në Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës, komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, bëri thirrje për pajtim, dialog dhe përgjegjësi, duke theksuar se vetëm përmes përballjes me të kaluarën, mund të ndërtohet një e ardhme e qëndrueshme për Bosnjë-Hercegovinën.
Përmes një mesazhi të publikuar me rastin e kësaj dite, Kos vlerësoi se përparimi në rrugën drejt Bashkimit Evropian, mbetet mënyra më e mirë për të garantuar një shtet sovran, të bashkuar, shumetnik dhe demokratik.
“Sot është Dita Ndërkombëtare e Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës. Shërimi i plagëve të së kaluarës kërkon guxim, angazhim të sinqertë dhe një përkushtim të vërtetë ndaj pajtimit”, tha Kos në mesazhin e saj.
“Kjo do të thotë, të zgjedhim përgjegjësinë në vend të përçarjes, dialogun në vend të përballjes dhe të mbështesim procesin e gjetjes dhe identifikimit të viktimave që ende rezultojnë të zhdukura”, shtoi komisionerja e BE-së.
“Përparimi në rrugën drejt Bashkimit Evropian është mënyra më e mirë për të siguruar një Bosnjë-Hercegovinë sovrane, të bashkuar, shumetnike dhe demokratike”, theksoi ajo.
“Gjithashtu, është mënyra më e mirë për të ndërtuar një shoqëri të bazuar në pluralizëm, respekt të ndërsjellë dhe mundësi të barabarta për të gjithë”, u shpreh Kos.
Çdo vit, më 11 korrik shënohet Dita Ndërkombëtare e Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës të vitit 1995.
Kjo ditë nderon kujtimin e më shumë se 8 300 burrave dhe djemve boshnjakë myslimanë, të cilët u vranë në mënyrë sistematike nga forcat serbe të Bosnjës gjatë luftës në Bosnjë-Hercegovinë.
Masakra e Srebrenicës konsiderohet krimi më i rëndë në tokën evropiane, që nga Lufta e Dytë Botërore.
Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës u miratua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në maj të vitit 2024, përmes Rezolutës 78/282.
Kjo ditë synon të ruajë të vërtetën historike, të kundërshtojë mohimin dhe shtrembërimin e fakteve rreth gjenocidit, si dhe të nxisë edukimin e brezave të ardhshëm mbi rëndësinë e kujtesës dhe parandalimit të krimeve të tilla.
Kombet e Bashkuara organizojnë çdo vit një ceremoni zyrtare përkujtimore./mxh
