Flet presidenti i Federatës për Paqe Universale për Evropën dhe Lindjen e Mesme
Intervistoi : Mentor HOXHA
Jacques Marion është një personalitet i njohur në Francë dhe në arenën ndërkombëtare. Ai është president i la Fédération pour la paix Universelle pour l’Europe et le Moyen Orient (Federata për paqe Universale për Evropën dhe Lindjen e Mesme).
U takova me të me 12 qershor 2026 në Lyon të Francës në një takim një ditor të Këshillit të Ambasadorëve të Paqes në kryeqytetin e Galisë ku bëj pjesë edhe unë. Kryetar i këtij Këshilli është Z. Jean-Paul Chaudy, i cili po bën një punë të shkëlqyer në promovimin e paqes dhe të harmonisë fetare. Gjatë këtij takimi, Jacques Marion më dorëzoi titullin “Ambassadeur de la paix” mua dhe gjashtë personave të tjerë nga gjashtë vende të ndryshme.
Në këtë intervistë exclusive për mediat shqiptare, Marion zbulon jetën e tij familjare dhe profesionale, përshkruan mbresat e tij nga vizitat në Shqipëri dhe Kosovë, jep opinionin e tij për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe flet për takimin që ka patur me shenjtoren e madhe shqiptare Nënë Tereza në New York, në një kishë në Bronx, ku ajo po vizitonte motrat e kongregacionit të saj. Gjithashtu, flet për bashkëpunimin e shkëlqyer që ka me disa personalitete të shquara në Shqipëri dhe Kosovë (presidentë, kryeministra, ministra, parlamentarë etj.).
Të gjitha këto dhe shumë gjëra të tjera interesante nga jeta dhe misioni i tij ndërkombëtar në shërbim të paqes do t’i zbuloni në intervistën e mëposhtme.

Përshëndetje Monsieur Marion. Ju falënderoj shumë që pranuat këtë intervistë me mua. Së pari, dua të di kush është Jacques Marion?
Unë jam francez, i lindur në Kamerun. E kalova rininë time dhe kreva studimet e mia në Lion të Francës. Që nga viti 1978, kam punuar jashtë vendit për OJQ (Organizata Joqeveritare humanitare): në Shtetet e Bashkuara, në Marok, në Afrikën Qendrore, pastaj në Kinë, Rusi dhe në Shtetet Baltike. Në vitin 2014, u ktheva në Francë, ku aktualisht jam president i la Fédération pour la paix Universelle pour l’Europe et le Moyen Orient.
Gruaja ime, Sonia, është braziliane dhe kemi pesë djem, katër prej të cilëve kanë lindur në Kinshasa, kryeqytet i Republikës Demokratike të Kongos, dhe një në Ekaterinbourg, Rusi. Prandaj, ne kemi udhëtuar nëpër botë dhe kemi arritur të njohim dhe të duam vende të ndryshme dhe aspekte të ndryshme të të njëjtit njerëzim.
Ju jeni president i Federatës për paqe Universale për Evropën dhe Lindjen e Mesme. Kur dhe ku u themelua kjo Federatë dhe cili është misioni kryesor i saj ?
La Fédération pour la paix universelle (UPF) u themelua në vitin 2005, duke pasuar Federatën Ndërfetare dhe Ndërkombëtare për Paqen Botërore, e cila ishte krijuar në vitin 1999. Siç sugjeron edhe emri i saj, ajo është një organizatë joqeveritare, misioni i së cilës është të promovojë paqen përmes dialogut ndërfetar dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Ajo mban status të përgjithshëm konsultativ me Këshillin Ekonomik dhe Social të Kombeve të Bashkuara dhe kontribuon në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së. UPF ka ndërtuar një rrjet të gjerë ndërkombëtar Ambasadorësh të Paqes nga prejardhje shumë të larmishme kulturore, fetare dhe profesionale. Ajo zhvillon aktivitetet e saj përmes tetë shoqatave ndërkombëtare që bashkojnë ish-krerë shtetesh dhe qeverish, zonja të para, parlamentarë, udhëheqës fetarë, si dhe përfaqësues nga sektorët akademikë, mediatikë, ekonomikë, kulturorë dhe të shoqërisë civile.
Sa degë ka kjo Federatë nëpër botë?
UPF ka hapur degë në më shumë se 150 vende në të gjithë botën.
Gjatë kryerjes së këtij misioni ju keni udhëtuar në shumë vende të botës. Para disa javësh morët pjesë në një konferencë në Tiranë. Mund të na tregoni më shumë rreth kësaj konference?
Kjo ishte një konferencë e mbajtur në Parlamentin e Shqipërisë me temë: “Liria e Medias, Demokracia dhe Qeverisja Dixhitale në Ballkanin Perëndimor”. Eventi u organizua bashkërisht nga Shoqata Ndërkombëtare e Parlamentarëve për Paqe, nga Shoqata Ndërkombëtare e Medias për Paqe dhe nga Federata për paqe universale, si dhe nga Parlamenti i Shqipërisë; Fondacioni Washington Times; Shoqata Ndërkombëtare e të Rinjve dhe Studentëve për Paqe dhe nga disa organizata mediatike nga Shqipëria dhe Ballkani.
Kjo ishte hera e parë që ishit në Shqipëri apo keni qenë edhe herë të tjera?
Kam qenë në Shqipëri shumë herë që nga qëndrimi im i parë në vitin 2015.
Ç’farë ju ka bërë më shumë përshtypje tek Shqipëria dhe shqiptarët?
Ajo që më bën më shumë përshtypje te shqiptarët është solidariteti i tyre, i cili tejkalon ndarjet fetare dhe është i rrënjosur në traditat e forta familjare. Për më tepër, është një vend që ka vuajtur gjatë gjithë historisë së trazuar të Ballkanit, përfshirë edhe të kaluarën mjaft të afërt, por që duket se është i destinuar për një të ardhme të shkëlqyer dhe tashmë mirëpret shumë vizitorë të huaj.
Ju keni miqësi me disa personalitete të larta në Shqipëri dhe në Kosovë. Mund të na tregoni disa prej tyre?
La Fédération pour la paix universelle ka punuar për shumë vite në Shqipëri dhe Kosovë me figura shumë të respektuara si ish-presidentët Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidani, ish-Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, Kryeministri aktual i Kosovës Albin Kurti dhe shumë të tjerë që kanë marrë pjesë në aktivitetet tona. Presidenti Moisiu luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e organizatës sonë në Shqipëri. Si president, ai i mirëpriti themeluesit tanë gjatë turneut të tyre botëror inaugurues në vitin 2005 dhe që atëherë ai ka mbështetur dhe udhëhequr vazhdimisht aktivitetet tona për të konsoliduar paqen në Ballkan.
Kur u njohët për herë të parë me shqiptarët dhe vendin e shqiponjave?
U njoha në vitin 2015 kur vizitova Shqipërinë për herë të parë, gjatë një konference si pjesë e “Iniciativës sonë për Paqen në Ballkan”, një projekt i nisur nga Federata për paqe universale që nga inaugurimi i saj në vitin 2005. Konferenca u zhvillua në Hotel Tirana International.
Krahas Shqipërisë, ju keni qenë disa herë edhe në Kosovë. Cilat janë impresionet e tua nga ky shtet i ri shqiptar në Ballkan?
E kam vizituar Kosovën disa herë që nga viti 2015. Ne kemi mbajtur disa konferenca të rëndësishme atje dhe aktualisht po kontribuojmë në përgatitjet për Samitin e Dytë të të Rinjve për Paqe në Ballkan, që do të mbahet në Mitrovicë këtë tetor. Kosova është një vend që përpiqet për pavarësi, me koston e shumë vuajtjeve, dhe unë e admiroj këtë energji dhe vendosmëri për të pasur sukses, e cila mishërohet në universitetet e saj shumë të respektuara. Kjo është arsyeja pse ne duam të mbështesim procesin e paqes, veçanërisht në Mitrovicë, në mënyrë që Kosova të mund të zhvillohet pa pengesa.
Ju keni lindur në Afrikë, jeni rritur në Lyon tw Franës dhe prej shumë vitesh jetoni në Paris. Ç’farë kujton tani nga fëmijëria në Afrikë, nga rinia në Lyon dhe nga jeta në Paris?
Kam jetuar në disa kontinente dhe çmoj veçanërisht Afrikën, pasi linda atje dhe e kalova fëmijërinë time të hershme atje. Kur u ktheva si i ri, ndjeva sikur po kthehesha në shtëpi. Pastaj kalova nëntë vjet në Kinshasa, duke udhëtuar gjerësisht në të gjithë Afrikën Qendrore dhe duke krijuar lidhje që mbeten të ngulitura thellë në zemrën time.
Lioni është qyteti ku u rrita, ku studiova dhe ku jeton një pjesë e familjes sime. Është një qytet historik për Francën, ish-kryeqyteti i Galisë dhe djepi i Krishtërimit. Kështu që jam gjithmonë i lumtur dhe krenar që kthehem.
Sa i përket Parisit, epo… është pasqyra e Francës, me madhështinë, bukurinë, krenarinë, luftërat e saj politike dhe problemet e saj… Por restaurimi i Notre Dame më ngrohu zemrën!
Lidhjet franko-shqiptare janë shumë të hershme. Nisin që në mesjetë dhe vazhdojnë deri në ditët tona. Nga viti 1978 ndodhet në Paris një shesh me emrin e Heroit Kombëtar të shqiptarëve Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Place de Skanderbeg. Për këtë Prijës të shquar shqiptar që fitoi 23 beteja kundër Perandorisë Osmane kanë shkruar penat më të ndritura franceze, si Volteri, Pierre de Ronsard, Michel de Montaigne, Jacques de Lavardin etj. Më 24 Janar 2019 La Poste France hodhi në qarkullim një pullë postare me portretin e tij.
Një tjetër shqiptar i shquar me famë botërore, shkrimtari Ismail Kadare ka një pllakë përkujtimore në Paris. Ai jetoi për 30 vite në kryeqytetin francez (1990 -2020) ku iu botuan në frëngjisht mbi 30 vepra . Ai ka marrë titullin Oficer i Madh i Legjionit të Nderit nga presidenti francez Emmanuel Macron.
Një rrugë në 17 arrondissement në Paris mban emrin e shqiptares së famshme Nënë Tereza, fituese e Çmimit Nobel për Paqe (11 dhjetor 1979). Keni dëgjuar për këto figura të shquara shqiptare që frymëzuan elitën franceze dhe botërore?
Sigurisht, i njoh! Të paktën nëpërmjet historive të tyre. Madje e takova vetë Nënë Terezën një ditë në Nju Jork, në një kishë në Bronx, ku ajo po vizitonte motrat e kongregacionit të saj. Vizitova gjithashtu kishën e vogël në Kosovë ku ajo hyri në urdhër; dhe sigurisht, e admirova atë si shenjtoren më të lartë në galerinë mbresëlënëse të portreteve të figurave historike shqiptare që zbukurojnë Katedralen e Prishtinës.
E njoh Skënderbeun nëpërmjet statujës së tij imponuese në sheshin që mban emrin e tij në Tiranë; e lexova me interes historinë e tij të jashtëzakonshme dhe kam përshtypjen se, ashtu si Nënë Tereza, shpirti i tij ende i udhëheq shqiptarët…
Sa i përket Kadaresë, sigurisht që kam dëgjuar për të; e di që është një shkrimtar shumë i njohur, i guximshëm dhe i talentuar, por ende nuk kam pasur mundësinë ta lexoj veprën e tij. Sigurisht që do ta bëj.
