Më 100 para erës sonë (sipas shumicës së burimeve historike) lindi Gaius Julius Caesar (Jul Cezari), një nga figurat më të mëdha të historisë së Romës dhe të qytetërimit perëndimor. Gjeneral i shkëlqyer, politikan, orator dhe reformator, ai do të ndryshonte përgjithmonë fatin e Republikës Romake.
Cezari i përkiste fisit aristokratik Julia (Gens Julia), i cili pretendonte se e kishte prejardhjen nga Iuli, djali i heroit legjendar trojan Enea dhe, përmes tij, nga perëndesha Afërdita (Venusi). Megjithëse kjo familje gëzonte një origjinë të lavdishme, deri në kohën e Jul Cezarit nuk kishte luajtur një rol të spikatur në politikën romake.
Origjina e mbiemrit Caesar ka ngjallur debate që në lashtësi. Sipas Plinit të Vjetrit, ai rridhte nga një paraardhës i familjes që kishte lindur me prerje cezariane, nga folja latine caedere (“me prerë”). Vepra Historia Augusta përmend edhe shpjegime të tjera: se paraardhësi kishte flokë jashtëzakonisht të dendur (caesaries), sy ngjyrë gri të kaltër (caesiis oculis), ose se kishte vrarë një elefant në betejë, sipas një fjale me prejardhje punike. Vetë Cezari preu monedha ku shfaqej figura e elefantit, çka ka bërë disa historianë të mendojnë se ai parapëlqente këtë version të origjinës së mbiemrit të tij.
Për fëmijërinë dhe rininë e tij dihet pak. Megjithatë, karriera ushtarake dhe politike e Jul Cezarit ishte e jashtëzakonshme. Pushtimi i Galisë e shndërroi në gjeneralin më të famshëm të kohës, ndërsa fitoret e tij i sollën një popullaritet të madh te populli dhe një armiqësi po aq të madhe në Senat.
Konflikti me senatorët u thellua pasi Cezari kaloi lumin Rubikon në vitin 49 para erës sonë, duke nisur luftën civile. Pas fitores ndaj rivalëve, ai u emërua diktator i përjetshëm (dictator perpetuo), duke grumbulluar në duart e tij një pushtet të paprecedentë. Kundërshtarët e akuzonin se po shkatërronte rendin republikan dhe po synonte monarkinë.
Më 15 mars të vitit 44 para erës sonë, në ditën e njohur si Idet e Marsit, Jul Cezari u vra brenda godinës së Senatit nga një grup komplotistësh të udhëhequr nga Marcus Junius Brutus, Gaius Cassius Longinus dhe senatorë të tjerë. Ata besonin se po shpëtonin Republikën nga tirania.
Por historia mori drejtimin e kundërt. Vrasja e Cezarit nuk e shpëtoi Republikën; përkundrazi, ajo shkaktoi një tjetër luftë civile, e cila përfundoi me ardhjen në pushtet të birit të tij të adoptuar, Oktavian Augustit, perandorit të parë të Romës. Kështu, atentati që synonte të ruante Republikën u bë, në mënyrë ironike, pika e nisjes së Perandorisë Romake.
