Tajfuni Bavi ka goditur Kinën, duke u bërë tajfuni i dytë që prek vendin brenda një jave. Stuhia preku fillimisht bregdetin në qytetin Taizhou të shtunën në mbrëmje, përpara se të zbarkonte për herë të dytë në Wenzhou, duke sjellë reshje të dendura shiu dhe erëra të forta.
Autoritetet kineze kanë evakuuar mbi 1.7 milionë banorë në provincën Zhejiang, ndërsa mijëra të tjerë janë larguar nga zonat e rrezikuara në provincat fqinje. Në Zhejiang janë pezulluar mësimi, aktivitetet në natyrë dhe puna, ndërsa janë anuluar qindra fluturime dhe dhjetëra linja hekurudhore.
Edhe pse Bavi është dobësuar në një stuhi të fortë tropikale, meteorologët paralajmërojnë se rreziku mbetet i lartë për shkak të reshjeve intensive, të cilat mund të shkaktojnë përmbytje dhe rrëshqitje dherash në provincat Zhejiang dhe Fujian.
Para se të mbërrinte në Kinë, tajfuni kaloi mbi ishujt jugorë të Japonisë dhe pranë Tajvanit, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike, anulime fluturimesh dhe evakuime masive. Në Filipine, reshjet e lidhura me stuhinë shkaktuan rrëshqitje dherash, ku humbën jetën të paktën 17 persona.
Ndërkohë, pjesë të Kinës jugore vijojnë të përballen me pasojat e tajfunit Maysak, i cili goditi vendin në fillim të javës, duke lënë të paktën 39 viktima dhe dëme të mëdha në bujqësi dhe infrastrukturë./kb
