Last Updated on 12/07/2026 by Kesjana
**
Shumë besojnë se ekspozimi në diell gjatë verës është i mjaftueshëm për të siguruar nivele të mira të vitaminës D, por një studim i kryer në Mbretërinë e Bashkuar tregon se kjo nuk është gjithmonë e vërtetë. Studimi, i publikuar në European Journal of Clinical Nutrition, përfshiu 299 persona nga veriu i Anglisë, mes tyre 168 të moshuar mbi 65 vjeç dhe 147 të rritur që i përkisnin pakicave etnike. Rezultatet treguan se 54.8% e të moshuarve dhe 72.1% e pjesëmarrësve nga pakicat etnike kishin nivele të pamjaftueshme ose mungesë të vitaminës D.
Ajo që tërhoqi më shumë vëmendje ishte se as gjatë muajve të verës, kur ekspozimi ndaj diellit është më i madh, këto mungesa nuk u korrigjuan. Nga qershori deri në gusht, më shumë se gjysma e të moshuarve vazhdonin të kishin nivele të ulëta të vitaminës D, ndërsa te pjesëmarrësit nga pakicat etnike përqindja e personave me mungesë nuk ra asnjëherë nën 64%. Autorët theksojnë se dielli i verës, i vetëm, nuk garanton nivele të mjaftueshme të vitaminës D, veçanërisht për grupet me rrezik më të lartë. Vitamina D është thelbësore për shëndetin e kockave, ndihmon në parandalimin e osteoporozës dhe luan një rol të rëndësishëm në funksionimin e sistemit imunitar. Sipas studiuesit Bernard Corfe, personat që bëjnë pjesë në grupet me rrezik nuk duhet të mendojnë se kalimi i më shumë kohës në diell gjatë verës është i mjaftueshëm për të zgjidhur problemin.
Studiuesit theksojnë se kërkimi ka kufizimet e veta, pasi është një studim vëzhgues dhe jo një provë klinike. Megjithatë, ata sugjerojnë se për personat me mungesë të vitaminës D mund të jetë e nevojshme marrja e suplementeve gjatë gjithë vitit, dhe jo vetëm në stinët me më pak diell. Vlen të theksohet se studimi është financuar nga BetterYou Ltd., një kompani që prodhon suplemente të vitaminës D. Autorët deklarojnë se sponsori nuk ka pasur asnjë rol në analizimin e të dhënave apo në rezultatet e studimit./FC
