Last Updated on 13/07/2026 by Anisa
Në gjyqin e fraksionit të ndarë të fashikullit “Veliaj” me 11 të pandehur është mbajtur mbrojtja e të pandehurve Fatjon Baçi dhe Adela Kondakci, ish-financiere e disa kompanive.
Ish-polici i burgjeve Baçi, përmes avokatit, tha se ishte ndikuar për t’ia dhënë telefonin Erion Veliajt nga pushteti i kryebashkiakut dhe personit që ai përfaqësonte dhe se Veliaj nuk kishte bërë asnjë krim duke folur me të vëllain.
Ndërkohë, avokati i të akuzuarës Kondakci kërkoi lehtësira, pasi ajo kishte ndihmuar drejtësinë. Në proces, siç tha Anila Hoxha, avokati i Kondakci tha se klientja e tij ka pranuar të marrë pjesë në abuzim me ligjin, por e shtyrë dhe e ndikuar nga urdhrat e Ajola Xoxës. Jo vetëm që nuk ka përfituar, por është vënë në dispozicion të drejtësisë dhe ka pasur kosto për transparencën e saj, tha avokati. Ka ndihmuar në zbardhjen e së vërtetës për organet e drejtësisë, vijoi më tej mbrojtësi për klienten e tij.
Nga ana tjetër, mbrojtja e ish-policit deklaroi: “Fatjon Baçi ka bërë një gabim njerëzor përballë një njeriu si Erion Veliaj, që gëzonte pushtetin që gëzonte. Veliaj ka biseduar me vëllain dhe gruan e tij dhe nuk ka bërë asnjë bisedë kriminale, përndryshe nuk do t’ia jepte celularin. Kërkoj që Gjykata të japë një dënim më të lehtë duke marrë në konsideratë se nuk kam pasur qëllim kriminal dhe duke marrë parasysh rrethanat familjare, që jam i vetmi njeri i punësuar në shtëpinë time”, pohoi mbrojtja.
Seanca u shty për në datën 23 korrik mbasi avokatët kërkuan kohë të plotësojnë konkluzionet./ad
