Last Updated on 13/07/2026 by EL
Kur kosherja ndotet nga pesticidet, bletët punëtore bëjnë gjithçka për të mbrojtur bletën mbretëreshë, të vetmen që mund të vendosë vezë dhe të sigurojë vazhdimësinë e kolonisë. Megjithatë, një studim i ri i botuar në revistën Current Biology ka zbuluar se, kur kjo mbrojtje nuk mjafton, mbretëresha përdor një mekanizëm ekstrem: transferon substancat toksike te vezët e saj.
Studiuesit nga Universiteti i Kalifornisë në Davis krijuan “nanokoloni”, koshere në miniaturë me një mbretëreshë dhe 60 bletë punëtore, për të vëzhguar mënyrën se si pesticidet përhapen në të gjithë koloninë. Koshereve iu dha ushqim i kontaminuar me një pesticid të përdorur gjerësisht në bujqësi.
Ditën e parë, bletët punëtore arritën të përthithnin dhe izolonin rreth 95% të pesticidit, duke penguar që ai të arrinte te mbretëresha. Por që nga dita e dytë, aftësia e tyre mbrojtëse ra në 86%, duke lejuar që një pjesë e substancave toksike të depërtonte deri te ajo.
Në këtë moment, studiuesit zbuluan strategjinë e fshehtë të mbretëreshës: ajo filloi të depozitonte pesticidet në vezët që prodhonte, duke mbrojtur organizmin e saj nga ndotja. Edhe pse kjo do të thotë sakrifikimi i mijëra vezëve, mbijetesa e mbretëreshës konsiderohet thelbësore për të ardhmen e kolonisë, pasi ajo mund të vendosë deri në 2.000 vezë në ditë.
Shkencëtarët theksojnë se ende nuk dihet sa efektive është kjo strategji në planin afatgjatë dhe çfarë pasojash ka ndotja e vazhdueshme e vezëve për koloninë. Këto pyetje do të jenë objekt i studimeve të ardhshme./FC
