Planet për zgjerimin me 30 metra të plazhit ikonik Navagio në Zakynthos synojnë të ruajnë anijen e ndryshkur të mbytur për brezat e ardhshëm, ndërsa vizitorët vazhdojnë të mos lejohen në këtë atraksion të njohur të ishullit për shkak të shqetësimeve për sigurinë.
Një nga plazhet më të famshme të Greqisë pritet t’i nënshtrohet transformimit më të madh të dekadave të fundit.
Autoritetet kanë paraqitur planet për zgjerimin e plazhit të famshëm Navagio në Zakynthos, me synimin për të mbrojtur anijen e tij legjendare të mbytur nga erozioni. Ndërkohë, kjo pikë turistike mbetet e mbyllur për vizitorët për shkak të rrezikut të vazhdueshëm nga rrëshqitjet e dheut.
Sipas planit, plazhi do të zgjerohet me 30 metra drejt detit, duke përdorur zhavorr.
Njoftimi vjen ndërsa plazhi do të qëndrojë i mbyllur gjatë sezonit veror 2026. Autoritetet greke kanë vendosur të ndalojnë hyrjen e anijeve dhe notarëve deri më 31 tetor, për shkak të shqetësimeve të sigurisë.
Vendimi u mor pas inspektimeve të kryera nga Organizata Greke për Planifikimin dhe Mbrojtjen nga Tërmetet (OASP), e cila konstatoi se zona paraqet rrezik të lartë për rrëshqitje masive të dheut.
Plazhi Navagio u mbyll edhe në vitin 2018, pasi shembja e një pjese të shkëmbit la të plagosur shtatë persona. Në vitin 2022, zona u godit nga një tërmet me magnitudë 5.4, gjë që çoi sërish në mbylljen e përkohshme të plazhit.
Vizitorët e ishullit, i cili është një nga destinacionet më të frekuentuara turistike në Greqi, mund ta admirojnë plazhin vetëm nga lart. Ndërkohë, për ata që përpiqen të zbresin në mënyrë të paligjshme drejt tij parashikohen masa ndëshkuese.
Autoritetet greke rivlerësojnë kushtet e sigurisë në plazh dy herë në vit, për të vendosur nëse ai mund të rihapet për publikun.
Anija, e cila u përplas në breg në tetor të vitit 1980, i dha këtij vendi emrin e famshëm “Plazhi i Anijes së Mbytur” (Shipwreck Beach). Që atëherë, Navagio është shndërruar në një nga peizazhet bregdetare më të fotografuara në botë.
Me kalimin e viteve, anija është dëmtuar ndjeshëm, ndërsa trupi i saj metalik është gërryer nga erozioni.
Autoritetet greke shpresojnë se zgjerimi i plazhit do ta mbrojë anijen nga dëmtime të mëtejshme. Aktualisht ajo ndodhet rreth 25 metra larg vijës së detit, por me hedhjen e 45 mijë metrave kub zhavorr do të zhvendoset edhe më larg ujit.
Pasi të përfundojë zgjerimi i plazhit, do të nisë edhe restaurimi i vetë anijes së mbytur./ Euronews-ad
