Pronarët e pasurive të paluajtshme në Evropë përballen me një sërë detyrimesh fiskale, që nga blerja e një prone e deri te shitja e saj. Sipas të dhënave të Global Property Guide, niveli i taksave ndryshon ndjeshëm nga një vend në tjetrin, duke ndikuar drejtpërdrejt në koston e investimit në pasuri të paluajtshme.
Katër janë taksat kryesore që rëndojnë mbi pronarët: taksa e blerjes së pronës, taksa vjetore mbi pronën, tatimi mbi të ardhurat nga qiraja dhe tatimi mbi fitimet kapitale në rast shitjeje.
Belgjika rezulton ndër vendet me barrën më të lartë fiskale. Blerësit e pronave mund të paguajnë deri në 12.5% të vlerës së pronës si taksë transferimi, ndërsa vendi renditet gjithashtu ndër më të shtrenjtët për tatimin mbi të ardhurat nga qiraja dhe taksat që lidhen me pronësinë.
Në të kundërt, Estonia dhe Republika Çeke nuk aplikojnë taksë për transferimin e pronës gjatë blerjes, ndërsa në Lituani kjo taksë është rreth 0.4% e vlerës së pronës.
Sa i përket të ardhurave nga qiraja, Danimarka aplikon normat më të larta për pronarët, me tatim që arrin mbi 42% për të ardhura modeste dhe mbi 43% për të ardhura më të larta. Për qiratë më të larta, Belgjika kryeson me një normë që arrin në rreth 47%, ndërsa Gjermania dhe Greqia aplikojnë tatime deri në 41%.
Në anën tjetër, Qiproja nuk vendos tatim për nivelet fillestare të të ardhurave nga qiraja, ndërsa Luksemburgu aplikon norma shumë të ulëta.
Edhe taksa vjetore mbi pronën ndryshon ndjeshëm. Në Mbretërinë e Bashkuar, pronarët e një banese me vlerë rreth 300 mijë euro paguajnë zakonisht nga 2,000 deri në 3,200 euro në vit. Në Francë dhe Spanjë, kjo taksë luhatet zakonisht nga 700 deri në 1,800 euro, ndërsa në Qipro dhe Maltë nuk ekziston një taksë vjetore mbi pronën.
Për pronat e shitura me fitim, Danimarka aplikon një nga normat më të larta të tatimit mbi fitimet kapitale, që mund të arrijë deri në 52%. Ndryshe nga ajo, Gjermania përjashton nga tatimi fitimet nëse prona është mbajtur për më shumë se dhjetë vjet, ndërsa Malta nuk taton fitimin, por aplikon një tarifë fikse mbi çmimin e shitjes.
Sipas analizës, Belgjika mbetet vendi me barrën më të lartë të përgjithshme fiskale për pronarët e pasurive të paluajtshme në Evropë, ndërsa Qiproja dhe Malta konsiderohen ndër destinacionet më të favorshme për investitorët, falë mungesës së taksës vjetore mbi pronën dhe politikave më të lehta tatimore./ Kb
