Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, akuzoi Ukrainën se po kryen sulme ndaj anijeve tregtare në Detin e Zi dhe në Detin Azov, duke i cilësuar këto veprime si akte terroriste.
Në një deklaratë të bërë në Moskë, Lavrov tha se, sipas tij, veprimet e Ukrainës shkojnë përtej piraterisë, pasi synimi nuk është përfitimi material, por shkaktimi i dëmeve dhe përhapja e frikës.
Shefi i diplomacisë ruse pretendoi gjithashtu se veprime të ngjashme zhvillohen edhe në kontinentin afrikan, ku, sipas tij, Ukraina bashkëpunon me grupe ekstremiste për të goditur interesat e Rusisë.
Lavrov deklaroi se Rusia do të vazhdojë të përmbushë detyrimet e saj për eksportet e produkteve ushqimore dhe ofrimin e ndihmës humanitare për vendet afrikane.
Ukraina nuk ka reaguar menjëherë ndaj këtyre deklaratave. Pretendimet e ministrit rus nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur./mxh
