Last Updated on 14/07/2026 by EL
Deputeti socialist dhe njëherësh kryetar i Komisionit të Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë, Ulsi Manja ka reaguar për debatet që pati në mbledhjen e kësaj të marte me kolegun socialist Damian Gjiknuri dhe opozitarë Oerd Bylykbashi e Gent Strazimit.
Në komision po diskutohej për impiante eolike në tokat bujqësore, dhe Gjiknuri, ashtu si kolegët demokratë, ishte kundër sepse sipas tyre do të shkatërrohen arat.
Mirëpo, në reagimin e tij, Ulsi Manja teksa publikon projektligjin “Për mbrojtjen e tokës bujqësore”, thotë se komisioni që ai drejton, verifikon përputhshmërinë e ligjeve apo projektligjeve me Kushtetutën, nuk bën vlerësim teknik.
“Për këtë projektligj pati debate, por roli i Komisionit të Ligjeve është i qartë: të verifikojë përputhshmërinë me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, jo të bëjë vlerësimin teknik të politikave sektoriale, i cili i takon komisionit përgjegjës për bujqësinë.
Projektligji u vlerësua në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, ndërsa relacioni shoqërues i shpjegon qartë arsyet e ndryshimeve të propozuara. Debati është i dobishëm kur mbështetet te ligji dhe argumentet juridike”, sqaron Ulsi Manja./et
