Last Updated on 14/07/2026 by EL
Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me deklaratën skandaloze të ministres serbe Snezhana Paunoviç, e cila ditën e djeshme gjatë një emisioni televiziv ka deklaruar se “po të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviçit më 1998, do ta spastronte etnikisht Kosovën”.
Përmes zëdhënëses Floriana Garo, PD ka dënuar me forcë deklaratën e ministres serbe, duke e quajtur si “përfaqësueseje të ultranacionalizmit primitiv serb”.
Po ashtu PD ka kërkuar shpalljen “Non Grata” të Snezhana Paunoviç, dhe paditjen e saj për nxitje të gjenocidit janë të vetmet qëndrime që ajo meriton.
Deklarata e zëdhënëses së Partisë Demokratike, Floriana Garo:
Këto ditë, në media ka qarkulluar një deklaratë ultraraciste dhe antishqiptare e ministres serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviç, në qeverinë e padronit të Edi Ramës, Aleksander Vuçiçit.
Në këtë deklaratë, ajo shprehet: “Po të isha në vend të Sllobodan Millosheviçit në vitin 1998, do ta kisha spastruar etnikisht Kosovën.”
Me këtë deklaratë, kjo figurë e ultranacionalizmit serb shpreh keqardhje që xhelati i Ballkanit, Sllobodan Millosheviçi, me operacionin e tij “Patkoi” dhe me gjenocidin e fundit serb ndaj shqiptarëve, nuk arriti t’i dëbonte ata nga trojet e tyre mijëravjeçare.
Partia Demokratike e dënon me forcë deklaratën raciste dhe antishqiptare të kësaj përfaqësueseje të ultranacionalizmit primitiv serb, si edhe qëndrimin e Edi Ramës dhe të narkoqeverisë së tij përballë deklaratave të tilla çnjerëzore dhe nxitëse të urrejtjes, të cilat bien ndesh me parimet themelore të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.
Shpallja e saj non grata dhe paditja për nxitje të gjenocidit janë të vetmet qëndrime që ajo meriton./et
