Meghan Markle do të shfaqet në kuzhinën e MasterChef Australia, por para transmetimit të episodit të saj, rrjetet sociale janë mbushur me komente negative. Shumë shikues kanë deklaruar se, edhe pse janë ndjekës të rregullt të spektaklit, këtë herë do ta bojkotojnë episodin për shkak të pranisë së dukeshës së Sussex-it.
Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në Instagram të rrjetit televiziv që transmeton programin, u njoftua se episodi me Meghan Markle do të transmetohet të dielën, më 26 korrik.
“Numërimi mbrapsht ka nisur! Meghan, dukesha e Sussex-it, hyn në kuzhinën e MasterChef si gjyqtare e ftuar, duke sjellë dashurinë e saj për ushqimin, mikpritjen dhe produktet sezonale në një nga sfidat më të veçanta të këtij konkursi”, thuhej në përshkrimin e postimit.
Sipas njoftimit, gjatë paraqitjes së saj Meghan Markle do t’u vendosë konkurrentëve sfidën për të krijuar pjata që nxjerrin në pah përbërësit sezonalë dhe historitë personale që fshihen pas tyre.
“Çfarë më tërhoqi te kuzhina e ‘MasterChef Australia’? Dy gjëra: dashuria ime për ushqimin dhe dashuria ime për Australinë. Ishte shumë e lehtë të thosha ‘po’. Është një spektakël fantastik. Ndihem vërtet e nderuar që më kërkuan të jem këtu me ju dhe të gjykoj disa prej këtyre pjatave”, u shpreh Markle në një deklaratë.
Megjithatë, reagimi i një pjese të publikut nuk ka qenë pozitiv. Në komentet e postimit të Network 10 në Instagram, disa shikues deklaruan se do të bojkotojnë episodin me Markle, i cili u xhirua gjatë vizitës së saj në Australi në prill, së bashku me princin Harry.
“Sigurisht që nuk do ta shoh”, shkroi një komentues. Një tjetër tha: “Më pëlqen shumë të shoh MasterChef, por nuk do ta ndjek kur ajo të jetë aty”.
Një tjetër përdorues vuri në dukje se Markle “nuk është kuzhiniere”, ndërsa një tjetër komentoi: “Për herë të parë që kur ka nisur ky emision, nuk do ta shoh. Për herë të parë!”, duke e cilësuar ish-aktoren e serialit “Suits” si “jashtëzakonisht irrituese”.
Disa shikues kritikuan gjithashtu Network 10 për përdorimin e titullit “dukeshë” për Markle, duke kujtuar se ajo dhe Harry u tërhoqën nga detyrat zyrtare mbretërore në vitin 2020./mxh
