Last Updated on 15/07/2026 by Kesjana
**
Fëmijët e lindur gjatë lockdown-it të vitit 2020 mund të kenë zhvilluar më dobët aftësitë që lidhen me kontrollin e emocioneve, përqendrimin dhe zgjidhjen e problemeve, për shkak të mungesës së kontakteve sociale në muajt e parë të jetës. Ky është përfundimi i një studimi të publikuar në revistën shkencore Archives of Disease in Childhood.
Kërkimi përfshiu 205 fëmijë të lindur në Angli midis 23 marsit dhe 23 qershorit 2020, periudhë që përkoi me izolimin e parë të pandemisë COVID-19. Studiuesit vlerësuan aftësitë e tyre njohëse dhe zhvillimin e gjuhës, si edhe analizuan funksionet ekzekutive përmes të dhënave të mbledhura nga prindërit.
Rezultatet treguan se funksionet ekzekutive ishin, mesatarisht, më të ulëta krahasuar me nivelet e regjistruara para pandemisë. Rreth një në tre fëmijë shfaqi nevoja të lidhura me këto aftësi, të cilat janë thelbësore për kontrollin e impulseve, menaxhimin e emocioneve, kujtesën e punës, planifikimin dhe përshtatjen ndaj situatave të reja.
Sipas autorëve të studimit, mungesa e ndërveprimeve me persona të ndryshëm nga prindërit gjatë vitit të parë të jetës mund të ketë ndikuar në këtë zhvillim. Fëmijët me funksione ekzekutive më pak të zhvilluara mund të kenë më shumë vështirësi në ndjekjen e udhëzimeve, ruajtjen e përqendrimit, organizimin e detyrave dhe përshtatjen e sjelljes sipas situatave.
Sa i përket zhvillimit të gjuhës, rezultatet ishin më të larmishme. Në përgjithësi, aftësitë gjuhësore rezultuan në përputhje, madje në disa raste edhe mbi pritshmëritë për moshën. Megjithatë, studiuesit konstatuan se aftësia për t’u shprehur me fjalë ishte më e dobët, ndërsa aftësia për të kuptuar gjuhën mbeti e pandryshuar. Sipas tyre, kjo mund të lidhet me komunikimin më të madh me prindërit gjatë izolimit, por me mungesën e kontakteve me persona të tjerë.
Autorët theksojnë se studimi është vëzhgues dhe nuk provon një lidhje të drejtpërdrejtë shkak-pasojë mes lockdown-it dhe këtyre rezultateve. Gjithashtu, një pjesë e të dhënave u bazua në vlerësimet e prindërve, çka përbën një nga kufizimet e kërkimit.
Megjithatë, studimi konsiderohet i rëndësishëm pasi hedh dritë mbi ndikimin afatgjatë që pandemia mund të ketë pasur te fëmijët që nuk e mbajnë mend atë periudhë, por mund të kenë përjetuar pasojat e saj në zhvillimin e hershëm./kb
