Last Updated on 15/07/2026 by EL
Drejtuesi i Inspektoratit të Përgjithshëm, Dashnor Sula, ka theksuar sërish rëndësinë e sigurisë ushqimore në kuadër të masave të ndërmarra për sezonin turistik në qarkun e Dibrës.
Sipas tij, me rritjen e numrit të vizitorëve gjatë periudhës verore, kontrollet në subjektet që tregtojnë e përpunojnë produkte ushqimore do të intensifikohen, me qëllim garantimin e standardeve të sigurisë dhe cilësisë për banorët dhe turistët.
Ai bëri me dije se, përveç sigurisë ushqimore, fokus i veçantë do t’i kushtohet edhe problematikave të tjera specifike të qarkut:
Siguria në miniera-Bashkia Bulqizë, e njohur për aktivitetin e saj në nxjerrjen e kromit, mbetet një ndër zonat me prioritet të lartë inspektimi.
Sipas të dhënave të prezantuara, gjatë vitit 2026 janë regjistruar vetëm 3 aksidente në punë në minierat e Bulqizës, pa asnjë pasojë në humbje jete, shifër që tregon efektin e masave të deritanishme, por që kërkon vigjilencë të vazhdueshme. Do të shtohen kontrollet në subjektet minerare për respektimin e standardeve të sigurisë në punë, gjendjen teknike të galerive dhe pajisjeve, si dhe parandalimin e aksidenteve.
Kontrolli veterinar dhe importi i gjësë së gjallë-Qarku i Dibrës mban një peshë të veçantë për shkak të pikës kufitare që lidh vendin me Maqedoninë e Veriut, nëpërmjet së cilës kalon një vëllim i konsiderueshëm i importit të gjësë së gjallë. Inspektori theksoi se do të forcohen kontrollet veterinare kufitare, duke garantuar respektimin e protokolleve shëndetësore dhe të karantinës, për të parandaluar hyrjen e sëmundjeve infektive dhe për të siguruar cilësinë e produkteve me origjinë shtazore që hyjnë në treg përmes kësaj pike.
Masat parandaluese ndaj zjarreve-Kërkohet bashkëpunim me strukturat vendore dhe angazhim maksimal i institucioneve përgjegjëse gjatë sezonit të thatë, veçanërisht në zonat malore dhe pyjore të qarkut.
Siguria rrugore dhe infrastruktura-Me rritjen e fluksit turistik në akset drejt zonave malore (si Peshkopia, Bulqiza, Maqellara), do të monitorohet gjendja e rrugëve dhe respektimi i kufizimeve për mjetet me tonazh të lartë.
Mbrojtja e mjedisit-Kontrolle të shtuara ndaj subjekteve që operojnë pranë burimeve ujore dhe zonave natyrore, për të parandaluar ndotjen nga aktiviteti minerar dhe industrial./ET
