Komandantët më të lartë ushtarakë të SHBA-së, Japonisë dhe Koresë së Jugut kanë riafirmuar angazhimin për forcimin e bashkëpunimit trepalësh në fushën e sigurisë, me fokus kryesor përballjen me kërcënimet që vijnë nga Koreja e Veriut.
Takimi i Shefave të Mbrojtjes (Tri-Chod) u zhvillua të mërkurën në Pentagon, ku morën pjesë kryetari i Shtabit të Përbashkët të SHBA-së, gjenerali Dan Caine, shefi i Shtabit të Përbashkët të Japonisë, gjenerali Hiroaki Uchikura, dhe kryetari i Shtabit të Përbashkët të Koresë së Jugut, gjenerali Jin Yong-sung.
Në deklaratën e përbashkët u theksua se bashkëpunimi i zgjeruar trepalësh është thelbësor për t’iu përgjigjur kërcënimeve bërthamore dhe raketore të Koresë së Veriut, si edhe sfidave që ndikojnë në paqen dhe stabilitetin në Gadishullin Korean dhe rajonin Indo-Paqësor.
Tre vendet ranë dakord të vazhdojnë koordinimin për denuklearizimin e plotë të Koresë së Veriut, në përputhje me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, megjithëse Pheniani vazhdon të këmbëngulë se statusi i tij si fuqi bërthamore është i pakthyeshëm.
Palët u zotuan gjithashtu të thellojnë bashkëpunimin në fusha të ndryshme të mbrojtjes dhe të vijojnë stërvitjet e përbashkëta vjetore “Freedom Edge”. Takimi i ardhshëm Tri-Chod do të zhvillohet vitin e ardhshëm në Japoni./kb
