Nga Thoma Gëllçi
Partia Demokratike u mblodh për t’u “ripërtërirë”. U paraqitën kandidatë për nënkryetarë, sekretarë, komisione dhe përfaqësues të diasporës. Lista ishte e gjatë, postet të shumta, procedura solemne.
Vetëm ndryshimi mungonte.
Sepse PD-ja po shkon përsëri nga Berisha te Berisha.
Sali Berisha paraqiti kandidatët, përcaktoi strukturën dhe shpjegoi frymën e statutit. Këshilli Kombëtar ka lirinë të zgjedhë mes emrave që kishte zgjedhur më parë kryetari. Demokracia e brendshme funksionoi në mënyrë të përsosur: anëtarët mund të votonin kë të donin, me kusht që emri të ishte në listën e Berishës.
PD-ja do të ketë tani sekretar për dixhitalizimin, burimet njerëzore, integrimin europian, pronat, të drejtat e njeriut dhe luftën kundër korrupsionit.
Berisha foli edhe për të rinjtë. Njëri prej nënkryetarëve do t’i përfaqësojë ata. Është një ide vërtet moderne: të rinjtë e Shqipërisë do të përfaqësohen në një parti të drejtuar nga i njëjti njeri që ishte në krye të shtetit kur prindërit e tyre ishin të rinj.
Edhe diaspora do të ketë përfaqësues. Shqiptarët që u larguan gjatë këtyre tri dekadave do të kenë më në fund një vend në partinë që ende ka kryetar atë që ishte në vitin 1990, kur ata nuk ishin larguar ende nga Shqipëria. Qenia e të njëjtit kryetar do t’u krijojë idenë atyre sikur nuk janë larguar kurrë nga vendi. Ishin në partinë e Berishës dhe kthehen në partinë e Berishës.
Problemi i PD-së nuk është mungesa e emrave të rinj. Problemi është emri i vjetër që qëndron mbi të gjithë. Mund të ndryshojnë nënkryetarët, sekretarët dhe komisionet, por, për sa kohë Berisha kontrollon partinë dhe berishizmi kontrollon mendimin e saj, gjithçka tjetër është dekor.
Lajmet dhanë se një anetare e Keshillit Kombetar paraqiti një mocion kundër mulizmit në Partinë Demokratike. Por kjo është për të qeshur. Çfarë është mulizmi? A mendon dikush seriozisht se Muli në PD ka ndonjë filozofi të vetën, përveç berishizmit? Por anëtarët e Këshillit Kombëtar e dinë rregullin: mund të prekin këdo, por jo Monumentin e Kulturës që e ka emrin Sali Berisha. Por edhe ai mocion nuk u pranua.
Shpresat për reformimin e PD-së janë pothuajse zero. Ajo po e tregon se nuk shkëputet dot as nga Berisha si individ dhe as nga berishizmi si frymë. Njerëzit në shesh do të vazhdojnë të thërrasin “Opozitë e shitur”, në rastin e pashembullt kur ata janë edhe kundër pushtetit, edhe kundër partisë kryesore opozitare.
Për shumë shqiptarë, emri i Berishës nuk kujton fillimin e demokracisë, por deformimet e saj. Kujton zgjedhjet e 26 majit 1996, dhunën ndaj opozitës, SHIK-un e famshëm, firmat piramidale, rrëzimin e shtetit në vitin 1997, korrupsionin, Gërdecin dhe një mënyrë qeverisjeje ku shteti, partia, familja dhe pushteti shpesh dukeshin shumë pranë njëri-tjetrit.
Kjo është barra që PD-ja vazhdon të mbajë. Sa herë paraqet Berishën si të ardhmen e saj, ajo u kërkon shqiptarëve të harrojnë të shkuarën e tij.
Por shqiptarët nuk kanë harruar.
Berisha ka arritur ta lidhë veten aq fort me PD-në, sa çdo problem i tij është bërë problem i partisë. Çdo akuzë ndaj tij kthehet në betejë kombëtare. Çdo kritik shpallet tradhtar. Çdo hetim quhet komplot. Çdo humbje zgjedhore konsiderohet vjedhje.
Vetëm fitorja është meritë personale. Por ai s’ka fituar asnjëherë. Edhe viti 2005 ishte thjesht një dhuratë që Fatos Nano i bëri Sali Berishës, duke i dhuruar aleancën me Luftër Xhuvelin, që kishte marrë katër deputetë me votat e Partisë Socialiste. Sali Berisha, në historinë e vet politike, ka regjistruar vetëm humbje.
Në një parti normale, drejtuesi mban përgjegjësi për humbjet. Në PD, humbjet përdoren si argument që Berisha të qëndrojë. Sa më keq shkon partia, aq më i pazëvendësueshëm shpallet kryetari.
Ndërtesa po shembet, prandaj arkitektit i jepet edhe një mandat.
Ky është edhe shërbimi më i madh që Berisha i bën Edi Ramës. Qeveria mund të ketë skandale, korrupsion, arrogancë dhe dështime. Por, sa herë PD-ja paraqitet si alternativë, Rama mjafton të tregojë nga Berisha dhe të thotë: “Ja kush vjen pas meje.”
Berisha thotë se është armiku më i madh i Ramës. Në praktikë, është kundërshtari më i dobishëm për të.
PD-ja ka shumë probleme: humbjet, izolimin, mungesën e besimit, pamundësinë për t’u zgjeruar dhe mungesën e një alternative të re.
Por të gjitha fillojnë dhe mbarojnë te i njëjti njeri. E mbani mend, besoj, që në zgjedhjet për kryetar, që më pas i quajtën votëbesim, Sali Berisha u ndesh me Sali Berishën dhe fitoi. Edhe tani Këshilli Kombëtar është ftuar të votojë për kandidatët e Sali Berishës kundër kandidatëve të Sali Berishës.
PD eshte e pashprese. Ajo niset nga Berisha, kalon nëpër Berishë dhe mbërrin përsëri te Berisha. Pafundësisht./kb
