Një ndërprerje e gjerë në sistemin e pagesave me karta krediti ka shkaktuar probleme në mbarë Japoninë, duke penguar mijëra qytetarë të kryejnë pagesa dhe të përdorin disa shërbime të transportit publik.
Sipas agjencisë Kyodo News, qytetarët nuk kanë mundur të kryejnë blerje në dyqane dhe biznese të ndryshme, ndërsa udhëtarët e kompanisë East Japan Railway janë përballur me vështirësi në blerjen e biletave.
Shkaku i ndërprerjes nuk është bërë ende i ditur.
Kompania Mitsubishi UFJ NICOS, një nga ofruesit më të mëdhenj të kartave të kreditit në vend, njoftoi se problemet nisën rreth orës 08:00 sipas kohës lokale, kur pagesat me kartë nuk mund të përpunoheshin te një numër tregtarësh.
Ndërkohë, në Tokio, përdoruesit nuk kanë mundur të përdorin as aplikacionin Mobile Pasmo, i cili shërben për pagesat dhe aksesin në transportin publik, duke shkaktuar vonesa dhe shqetësime për udhëtarët./ad
