Nga Mohamed Sleiman Labat
Vendimi për të xhiruar në Saharanë Perëndimore të pushtuar nga Maroku – ku popullsia autoktone nuk mund të tregojë historinë e saj pa rrezikuar burgun – ndihmon në fshirjen e odiseut tonë të dhimbshëm.
Vetë akti i mbajtjes së një kamere në atdheun tim, Saharanë Perëndimore, mund të konsiderohet krim. Kur kineastët dhe gazetarët sahraui përpiqen të dokumentojnë jetën e përditshme nën pushtimin maroken, shpesh përfundojnë në qeli. Për regjimin maroken, një kamerë në duart e një sahrauiu përbën kërcënim për narrativën zyrtare sipas së cilës Sahara Perëndimore është pjesë e Marokut.
Ndërkohë, kur emra të mëdhenj të kinemasë botërore dëshirojnë të gjejnë peizazhin e përsosur për një udhëtim epik dhe vendosin se toka jonë është mjaftueshëm ekzotike për skenat që kërkojnë, ata priten me nderime, shoqërohen dhe u jepet qasje e plotë pikërisht nga të njëjtat autoritete që neve na e mohojnë këtë të drejtë.
Kjo është realiteti i hidhur dhe paradoksal i Saharasë Perëndimore, një territor i pushtuar, i pasur si në burime natyrore, ashtu edhe në trashëgimi kulturore. Ndërsa kompani të huaja shfrytëzojnë pa pengesa fosfatet, rërën, peshkun, domatet, erën, diellin dhe peizazhet tona të shkretëtirës, ne – sahrauit autoktonë – po kthehemi në pakicë në vendin tonë. Jemi margjinalizuar sistematikisht, jemi heshtur dhe na është mohuar e drejta mbi tokën ku paraardhësit tanë jetuan si nomadë për shekuj.
Episodi më i fundit i kësaj drame koloniale ka si protagonist filmin e ri të Christopher Nolan, i cili përdor pjesë të territorit tonë të pushtuar si shesh xhirimi.
Ne, sahrauit, jemi të tronditur që skena të “Odiseas”, përshtatja filmike e poemës së Homerit, e mbushur me temat e mërgimit, ndarjes së familjes, tradhtisë dhe luftës së gjatë për t’u kthyer në shtëpi, janë xhiruar mbi tokën tonë.
Ironia do të ishte komike, po të mos ishte tragjike.
Ne, populli sahraui, në tokën e të cilit u filmua një pjesë e “Odiseas”, kemi më shumë se pesëdhjetë vjet që jetojmë odiseun tonë të dhimbshëm.
Atdheu ynë u pushtua ushtarakisht në vitin 1975, kur autoritetet koloniale spanjolle ia dorëzuan territorin Marokut dhe Mauritanisë. Sot, gjysma e popullit tonë jeton në kampe refugjatësh në shkretëtirën algjeriane, ndërsa gjysma tjetër mbijeton nën një regjim shtetëror ushtarako-policor, e ndarë nga një mur ushtarak prej 2 700 kilometrash, i ndërtuar nga Maroku dhe i rrethuar me miliona mina tokësore.
Por këto histori nuk do të shfaqen kurrë në ekranin e madh.
Në një botë të magjepsur nga trillimi që ofron kinemaja, duket më e lehtë të ringjallësh një histori 3 000-vjeçare për vuajtjen, ndarjen dhe tradhtinë, sesa të pranosh se po të njëjtat drama jetohen çdo ditë nga populli sahraui.
Vendimi i Nolan për të xhiruar në një territor të pushtuar nxjerr në pah praktikat shfrytëzuese që janë rrënjosur në industrinë perëndimore të filmit.
Kinemaja perëndimore ka qenë shpesh bashkëfajtore në nxjerrjen dhe përvetësimin e historive dhe kulturës jomateriale të Jugut Global, në një shkallë jo më të vogël sesa shfrytëzimi i burimeve materiale nga kolonializmi perëndimor.
Ekipet ndërkombëtare të xhirimit zbresin për pak ditë, filmojnë fytyrat tona, veshjet tona, dunat dhe kulturën tonë materiale, pastaj largohen. Për ta, ne duket se jemi vetëm elemente dekorative të skenografisë. Më pas, në Nju Jork, Londër apo Paris, ata fitojnë prestigj, sukses financiar dhe çmime.
Për xhirimet në Dakhla, Nolan nuk duket se ka kërkuar ndonjëherë pëlqimin tonë, as nuk ka marrë parasysh aspektin etik të faktit se, në praktikë, po ndihmon në legjitimimin e pushtimit maroken dhe po e bën edhe më të pasigurt jetën e sahrauiëve që jetojnë nën të.
Ai po merr pjesë aktivisht në një fushatë propagandistike të sponsorizuar nga shteti, e krijuar për të legjitimuar një pushtim të paligjshëm.
Sipas Kombeve të Bashkuara, Sahara Perëndimore është një territor jo vetëqeverisës. Në një territor të tillë, përdorimi i burimeve materiale apo jomateriale pa pëlqimin e qartë të popullsisë autoktone nuk është vetëm joetik; ai është edhe i paligjshëm sipas së drejtës ndërkombëtare.
Toka jonë, kultura jonë dhe trashëgimia jonë na përkasin neve. Maroku e përdor kinemanë si armë për të zbardhur imazhin e pushtimit.
Duke tërhequr ekipe të huaja filmike për të xhiruar në Saharanë Perëndimore, ndërkohë që ua ndalon sahrauiëve të filmojnë dhe të shprehen lirshëm, Maroku krijon një imazh romantik dhe turistik të territorit, duke fshehur realitetin e pushtimit.
Regjimi përdor çdo mjet politik, ekonomik dhe kulturor për ta ruajtur status quo-në dhe për të mohuar ekzistencën e popullit sahraui dhe rezistencën e tij.
Ky proces i fshirjes së identitetit është paralel me zhvendosjen dhe zëvendësimin e popullsisë.
Kur mizoritë e kryera nga Maroku detyruan shumë familje sahraui të largoheshin gjatë luftës, regjimi solli qindra mijëra kolonë marokenë, mbushi rrugët me flamuj, portrete dhe simbole kulturore të importuara.
Është një fushatë e qëllimshme për të zbehur gjuhën tonë, për të mbishkruar historitë tona dhe për të zëvendësuar sistematikisht kulturën dhe identitetin tonë.
Në këtë kontekst, kineastët nuk janë aktorë neutralë. Kamerat dhe pozicioni i tyre mund të bëhen instrumente të politikës së fshirjes.
Publiku që do të shohë “Odisean” meriton më shumë. Ai ka të drejtë të dijë se çfarë qëndron pas etikës së realizimit të këtij filmi. Pamjet spektakolare që do t’i paraqiten si vende ku zhvillohen epope historike janë filmuar mbi vuajtjen e popullit sahraui.
Ne nuk duam që atdheu ynë të shërbejë si sfond i sterilizuar për epope perëndimore.
Ne duam të tregojmë historitë tona, të realizojmë filmat tanë dhe të vendosim vetë për mënyrën se si përfaqësohemi.
Vetëpërfaqësimi kulturor është pjesë thelbësore e së drejtës sonë për vetëvendosje.
Deri në ditën kur kineastët ndërkombëtarë të refuzojnë të bashkëpunojnë me pushtetin shtypës në tokën tonë dhe deri sa ne të kemi të drejtën të mbajmë kamerën pa frikën e burgut, çdo kuadër i filmuar nga një i huaj në vendin tonë mund të jetë, në thelb, një tradhti ndaj vetë artit të rrëfimit.
Mohamed Sleiman Labat është një artist multidisiplinar sahraui që jeton në kampet e refugjatëve sahraui në jugperëndim të Algjerisë. Veprimtaria e tij artistike, përmes filmit, shkrimit dhe artit komunitar, trajton të kaluarën dhe të tashmen e popullit sahraui. Ai drejton Motif Art Studio në kampin e refugjatëve Samara, një hapësirë e vogël kushtuar krijimit dhe eksperimentimit artistik.
Përgatiti: L.Veizi
