Last Updated on 16/07/2026 by Anisa
Kreu i grupit të PS, Taulant Balla duket se ka në plan të kallëzojë në SPAK kreun e Partisë Mundësia, Agron Shehajn për çështjen e vilës në Itali. Një pasuri e paluajtshme, truall plus ndërtesë vetëm 251 m2 gjithsej, të cilën vetë deputeti Shehaj ka deklaruar se e ka shitur shtatorin e kaluar plot 15 milionë euro. Nga seanca plenare në Kuvend, ku po përplasej me deputetin Erald Kapri të cilin e quajti asistentin e Shehajt, Balla u shpreh se e ka gati dosjen.
Deputeti socialist theksoi se po zbardhet skema e pastrimit të parave, duke nxjerrë edhe shifrat që tashmë janë bërë publike edhe nga Shqiptarja.com, të cilat tregojnë se si Shehaj e bleu vilën në vitin 2019 me një vlerë prej 2.9 milionë euro ndërkohë që vetëm 4 vite më vonë në deklaratën e ndryshimit të pasurisë për vitin 2025 thotë se e ka shitur plot 15 milionë euro, pra mbi 5-fish më shumë.
“Nuk ka model më të keq në politikë sesa të vish këtu dhe të bësh suflerin e Gones. Ti bashkë me atë personin tjetër që nuk është këtu, e nise karrierën politike me pagesë nga paratë e Gones, tani paguhesh me paratë e shqiptarëve si asistent i Gones, ky është ndryshimi. Deri në shtator të paguante Gonia nga paratë e call center si asistenr. Sot paguhesh si asistent i Gonës me paratë e Kuvendit. Ndërsa po zbardhet gjithë e skema e pastrimit të parave të Agron Shehajt, rast unik në botë që brenda 4 vitesh pesëfishon vlerën e një prone nga 2.9 mln euro në 15 mln euro. Do të vijë Gonia këtu, ia kam bërë gati dosjen. Nga paratë e vilës së Gones je paguar ti deri në shtator 2025”, tha Balla.
Vetë Shehaj në deklaratën e pasurisë për vitin 2021 thoshte se pasurinë e paluajtshme truall+ndërtesë 251 m2 e kishte blerë 2.9 milionë euro, (një shifër normale për tregun), duke i nxjerrë një fitim prej 12.1 milionë euro brenda vetëm 4 viteve pasurisë së paluajtshme.
Deklarata e vitit 2025 (shitja e vilës 15 milionë euro)

Deklarata e vitit 2021 (blerja e vilës 2.9 milionë euro)

Deputeti Agron Shehaj ende nuk e ka bërë një sqarim ezaurues për këtë lëvizje, ndërsa nga ana tjetër tanimë thotë se vila ishte 500 m2 dhe jo 251 m2 siç e ka raportuar në dy deklarata të ndryshme në ILDKPKI, siç shihet në fotot më lart./ad
