Last Updated on 16/07/2026 by EL
Financat publike e mbyllën gjashtëmujorin e parë të vitit me një ecuri pozitive. Sipas të dhënave paraprake të Ministrisë së Financave, të ardhurat totale në buxhet arritën në 410.6 miliardë lekë, me një realizim prej 105% të planit. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, në arkën e shtetit u mblodhën 44.5 miliardë lekë më shumë, ose 12.2%.
Peshën kryesore në këtë performancë e mbajtën të ardhurat nga tatimet dhe doganat, të cilat arritën në 260.1 miliardë lekë, 7.3% më shumë se një vit më parë dhe 1.7% mbi planin. Rritje të ndjeshme shënuan edhe të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale, që u zgjeruan me 16.6%, si dhe TVSH-ja neto e mbledhur në vend, e cila u rrit me 25.4% krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2025.
Edhe nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore u arkëtuan më shumë të ardhura. Fondet speciale arritën në 99.2 miliardë lekë, me një rritje prej 13.3% në bazë vjetore dhe me realizim 102.8% të planit.
Nga ana tjetër, shpenzimet publike u realizuan në 357.8 miliardë lekë, ose 97.4% të planit, ndërsa ishin 7.5% më të larta se një vit më parë. Investimet kapitale arritën në 36.8 miliardë lekë, duke tejkaluar planin me 3.8% dhe duke u rritur me 10.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Këta tregues, sipas Ministrisë së Financave, pasqyrojnë një ecuri të qëndrueshme të të ardhurave dhe vazhdimësinë e financimit të investimeve publike./et
