Nga Lutfi Dervishi
Më 14 nëntor 1963, pranë brigjeve të Islandës, peshkatarët panë një shtëllungë tymi të zi që dilte nga fundi i detit. Një vullkan kishte shpërthyer rreth 130 metra nën sipërfaqen e ujit dhe, ndërsa magma përplasej me detin e ftohtë, po lindte ngadalë një ishull i ri.
Për katër vjet, ditë pas dite, nga beteja mes zjarrit dhe oqeanit, ishulli fitoi terren derisa u shfaq plotësisht mbi sipërfaqe. Ishte toka më e re e Europës dhe islandezët e quajtën Surtsey.
Me lindjen e ishullit lindi edhe tundimi që shoqëron pothuajse çdo copë toke të virgjër, kudo në botë. Dikush mund ta shpallte “zonë prioritare për turizmin”. Dikush tjetër do të kishte gjetur investitorin strategjik, me leje të përshpejtuara. Do të vinin arkitektët, do të vizatoheshin resortet me pesë yje dhe do të organizohej ceremonia e hedhjes së gurit të themelit, mes fjalimeve për zhvillimin, investimet dhe zilisë së fqinjëve.
Islandezët, çuditërisht, morën një vendim krejt tjetër, pa qenë nevoja që dikush të protestonte kundër tyre.
Vendosën që në ishull të hynin vetëm disa shkencëtarë, jo sepse nuk dinin të ndërtonin hotele, as sepse s’kishin para për ta bërë, por sepse donin të shihnin diçka shumë më të rrallë: si ndërton natyra kur njeriu ka durimin të mos ndërhyjë.
Natyra nisi punën e saj me ritmin që njeh vetëm ajo. Fillimisht era solli spore, myshqe dhe likene. Pastaj dallgët nxorrën në breg farat e para. Pas tyre erdhën zogjtë, që pa e ditur u bënë ndërtuesit më të rëndësishëm të ishullit: me farat, pendët dhe plehun e tyre e kthyen shkëmbin vullkanik në tokë pjellore. Vitet kaluan, dhe aty ki dikur kishte vetëm hi e gurë nisën të mbinin bimët. Erdhën insektet, pastaj dhjetëra lloje shpendësh, dhe pak nga pak u formua një ekosistem i tërë, sipas një plani që natyra e kishte shkruar shumë kohë përpara se njeriu të mësonte të vizatonte planet e zhvillimit.
Sot, gjysmë shekulli më vonë, Surtsey është një laborator i gjallë natyror dhe Pasuri Botërore e UNESCO-s. Dikush mund të thotë se shkenca s’mbush arkën e shtetit. Është e vërtetë se një laborator natyror nuk sjell të ardhura si një resort me pesë yje. Por ndërkohë që shumë “projekte strategjike” të viteve ’60 janë harruar bashkë me betonin e plasaritur, emri i këtij ishulli të vogël vazhdon të jetë pjesë e librave të shkencës në mbarë botën.
Historia e këtij ishulli tregon se qytetërimi nuk matet gjithmonë me atë që ndërton. Ndonjëherë matet me atë që vendos ta lërë të paprekur.
Diku gjetkë, ka lagunë, deltina dhe brigje ku flamingot ende ndalojnë të pushojnë në rrugën e tyre stinore, ku bimësia e egër ende nuk ka njohur as vinç ndërtimi, as leje zhvillimi e ndërtimi. Ende. Sepse mundësia për t’u bërë “zonë turistike premium” mbetet gjithmonë vetëm një firmë larg.
Islanda, ashtu si Greqia apo Kroacia, mund ta përballojnë humbjen e një ishull, ngaqë kanë mijëra të tillë.
Por ka vende që nuk e kanë atë luks sepse kanë vetëm një.
