Last Updated on 18/07/2026 by EL
Ish-ministri gjerman i Shëndetësisë dhe një nga figurat kryesore të partisë konservatore në Gjermani CDU, Jens Spahn, po përballet me kritika të ashpra dhe kërkesa për dorëheqje. Siç raporton BBC, shkak është bërë njoftimi i tij se ai dhe bashkëshorti i tij, Daniel Funke, janë bërë prindër të një djali përmes një nëne surrogate në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një praktikë kjo që është e ndaluar me ligj në Gjermani.
Nën ligjin gjerman për mbrojtjen e embrionit të vitit 1990, surrogacia brenda Gjermanisë dënohet me gjobë ose deri në tre vjet burgim. Ky ndalim mbështetet nga partia e Spahn, Bashkimi Kristian-Demokrat (CDU), dhe në të kaluarën është mbrojtur me ngulm edhe nga vetë Spahn.
Edhe pse ligji gjerman nuk e ndalon rritjen e një fëmije të lindur nga një nënë surrogate jashtë shtetit, BBC nënvizon se veprimi i politikanit 46-veçar ka ndezur një debat të madh mbi moralin, besueshmërinë dhe standardet e dyfishta të udhëheqësve publikë.
Surrogacia (apo mbajtja e barrës për tjetrin) është një procedurë mjekësore dhe juridike ku një grua pranon të mbetet shtatzënë, të mbajë fëmijën në bark dhe të lindë në emër të një çifti ose një personi tjetër, të cilët nuk mund të kenë fëmijë vetë (për shkak të infertilitetit ose sepse janë çift i të njëjtës gjini, siç është rasti me politikanin gjerman Spahn dhe partnerin e tij). Pas lindjes, nëna surrogate heq dorë ligjërisht nga të drejtat prindërore dhe fëmija u dorëzohet prindërve të synuar. Për shkak të dilemave të mëdha etike, morale dhe rrezikut të kthimit të kësaj praktike në biznes, Gjermania dhe disa vende të tjera evropiane e ndalojnë rreptësisht atë.
Kritikat më të ashpra për politikanin kanë ardhur nga radhët e vetë partisë së tij. Daniel Peters, një lider i rëndësishëm i CDU-së në landin Mecklenburg-Vorpommern, deklaroi për gazetën Bild se pozicioni i Spahn si udhëheqës i grupit parlamentar të CDU nuk është më i qëndrueshëm dhe se ai duhet të japë dorëheqjen. Peters theksoi se është tërësisht e gabuar që një politikan të veprojë në një mënyrë si individ privat dhe të votojë krejt ndryshe në parlament.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe Marion Rosin nga Unioni i Grave të CDU-së në landin e Thürigenit, duke thënë se politikanët që vendosin standarde për të tjerët duhet të maten me të njëjtin standard, dhe se kur humbet besueshmëria, dorëheqja është pasojë e natyrshme.
Përballë këtij presioni në rritje, kancelari Friedrich Merz, i cili udhëheq kristian-demokratët, konfirmoi për mediat se kjo çështje do të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të kryesisë së partisë. Ai pranoi se tema prek shumë njerëz në Gjermani në nivele njerëzore, ligjore, sociale dhe etike, por shtoi se qëndrimi i partisë dhe ligji aktual gjerman nuk do të ndryshojnë. Në shkurt të këtij viti, CDU rikonfirmoi mbështetjen për ndalimin e surrogacisë për të parandaluar kthimin e saj në një model biznesi komercial.
Siç vë në dukje BBC, kritikët sollën në vëmendje se në vitin 2020, kur Spahn mbante postin e ministrit të Shëndetësisë, ai kishte refuzuar zyrtarisht kërkesën e liberalëve të FDP-së për të zbutur ndalimin e surrogacisë në Gjermani. Për më tepër, në vitin 2015, ai kishte shkruar publikisht se “si një burrë gej dhe si i krishterë, e kam shumë të vështirë personalisht të pajtohem me idenë e një mitre të marrë me qira”.
Nga kampi i të Gjelbërve gjermanë, zëdhënësi për shëndetësinë Janosch Dahmen deklaroi se problemi këtu nuk është lindja e fëmijës, por besueshmëria politike. Sipas tij, kushdo që mbron rregulla të caktuara në politikë duhet të shpjegojë qartë pse ato rregulla nuk vlejnë për të personalisht. Ndërsa Henning Höne nga FDP-ja liberale u shpreh se nuk mund të respektojë politikanët që miratojnë ligje në vendin e tyre, e pastaj i shmangen atyre ndërkombëtarisht duke përdorur paratë dhe kontaktet e tyre.
Sipas BBC, Spahn nuk është i vetmi politikani i CDU-së që ka ndjekur këtë rrugë; pak më parë gjatë këtij viti u mor vesh se edhe kolegu i tij i partisë, Hendrik Streeck, u bë baba përmes një nëne surrogate në SHBA. Ndërkohë, çështja e surrogacisë mbetet temë e ndjeshme në të gjithë Evropën: Franca së fundmi vendosi të njohë ligjërisht fëmijët e lindur nga surrogacia jashtë shtetit, ndërsa Italia e shpalli të paligjshme për italianët kryerjen e kësaj procedure jashtë vendit. /et
