Last Updated on 23/10/2026 by Klara
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, priti në një takim Atasheun e ri Ushtarak të Turqisë në Tiranë, kolonel Murat İlhan, ku u diskutua për forcimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Turqisë në Shqipëri, Bariş Ceyhun Erciyes.
Ministri Nufi vlerësoi kontributin e vazhdueshëm të Turqisë në modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në arsimimin dhe stërvitjen ushtarake.
Sipas tij, formimi i kadetëve, oficerëve dhe nënoficerëve shqiptarë në institucionet ushtarake turke ka qenë një prej shtyllave kryesore të bashkëpunimit ndër vite.
Gjatë takimit, palët diskutuan gjithashtu mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes, përmes investimeve, sipërmarrjeve të përbashkëta, bashkëprodhimit dhe transferimit të teknologjisë.
Këto nisma synojnë forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Shqipërisë, përshpejtimin e modernizimit të Forcave të Armatosura dhe rritjen e kontributit të përbashkët në sigurinë rajonale.
Në përfundim, u riafirmua angazhimi i të dyja palëve për thellimin e mëtejshëm të partneritetit dhe bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë./k.m






